BEAUTY

Si të mbillni dhe të kujdeseni për lulen e Parave

Pilea peperomiodes, e njohur edhe si lulja e parave, përbëhet nga gjethe të bukura dhe të pazakonta. Në Kinë, besohet se kjo bimë tërheq paratë, pandaj edhe emri i saj është i tillë.

Një bimë e lehtë për tu rritur, e përshtatshme për fillestarët pasi mund të jetojë për një kohë të gjatë pa pasur nevojë për ujitje dhe ushqim. Dhe nëse e trajtoni në mënyrën e duhur ajo do t’ju shpërblejë duke rritur shpejt gjethet e bukura jeshile me shkëlqim.

Ja disa këshilla për rritjen e saj.

Si të kujdeseni për lulen e parave
Mbilleni këtë bimë në një tokë apo vazo me sistem kullues të mirë dhe vendoseni në një vend të ngrohtë dhe të ndritshëm. Mos e ekspozoni drejtpërdrejt në diell, pasi në këtë mënyrë gjethet rrezikojnë të thahen. Pilea peperomiodes rritet më së miri në klimë të ngrohtë, ku temperaturat nuk shkojnë nën 12°C në dimër. Nga pranvera në vjeshtë, ujiteni bimën rregullisht, kryesisht kur shihni se dheu i saj ka filluar të thahet. Ndërsa në stinët më të ftohta, këshillohet ta ujisni më rrallë.

Për sa i përket ushqyesve, mjafton ta trajtoni me një të tillë një herë në muaj. Mbas disa kohësh bima do të kthehet natyrshëm drejt dritës, dhe pamja e saj mund të jetë disi e anuar. Për të ruajtur një pamje të një trajtshme, duhet ta rrotulloni shpesh.

Kontrolloni gjethet
Për t’i dhënë kujdesin maksimal, një hap tjetër i rëndësishëm është të kontrolloni gjethet e tyre. Nëse gjethet zverdhen, kjo mund të jetë duke ndodhur për shkak të ujitjes së tepërt ose të pakët. Nga ana tjetër përkulja e gjetheve poshtë mund të jetë për shkak të mungesës së dritës.

Gjethet e zbehta mund të jenë shenjë e dritës së tepërt dhe njollat kafe tregojnë djegie nga dielli. Nëse shihni se në gjethet e tyre ka gunga të vogla, fshijini butësisht me pambuk të njomur me ilaç të posatshëm. Veproni menjëherë sapo t’i shihni, pasi problemi mund të përhapet dhe të ndikojë në shëndetin e bimës. Myku mund të shfaqet në formën e njollave të bardha. Hiqni gjethet e prekura dhe përmirësoni qarkullimin e ajrit rreth bimës. Fshini gjethet herë pas here për t’i mbajtur ato me shkëlqim dhe pa pluhur.

Lulja e parave lulëzon lehtësisht. Në bazën e saj ajo prodhon bimë të reja, të cilat mund të hiqen me kujdes duke përdorur një pirun dhe të vendosen në një enë me një centimetër ujë.

Disa javë më vonë, rrënjët do të jenë formuar dhe ju mund t’i mbillni bimët e reja, ose t’i dhuroni ato. /AgroWeb.org/LIVING

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button