“Nuk ju harroj, fitova unë bastard!”, Vilma Dule kujton sulmin e rëndë me acid pas 11 vitesh
Historia e vajzës nga Vlora që u sulmua me acid, edhe për shkak të përfshirjes së saj mediatike, është bërë e njohur disa herë. Forca për të kaluar një ngjarje të rëndë në jetën e saj, vazhdimisht dhe vazhdimisht, e ktheu Vilma Dulen në një personazh frymëzues. Megjithatë, datat që i kanë shënjuar jetën, për mirë o për keq, askush nuk i harron. Nuk ka se si të harrojë Vilma tjetërsimin që i bëri jeta më 27 gusht të 11 viteve më parë. Vitet e fundit, integrimi i saj në jetën sociale, edhe përmes trajtimeve të vazhdueshme, ka qenë ndikues, me ekspozita, shkrime e përfshirje që kanë treguar shembullin e forcës. Familja e re që krijoi, ishte gjithashtu një dritë e re në jetën e saj, por plagët, siç thuhet, ngelen në lëkurë!
“Jam kuruar në Francë dhe ka një sistem kurimi shumë special, ti nëse digjesh ke një qendër rehabilitimi ku shkon dhe kurohesh. Prodhohen maska, të cilat një i djegur duhet t’i mbajë 24 orë, i kam mbajtur për 5 vite. Gjatë kësaj periudhe që e mbaja maskën punoja dhe jetoja, ndodhi që shikoja reagimet e njerëzve që më shikonin me çudi, kuriozitet, mëshirë dhe lindi tek mua nevoja për të transferuar sensin e kësaj maske nga një objekt mjekësor në art. Çdo njeri mund ta gjente veten ne këtë projekt dhe fillova të pikturoja maskat, e ndava me 24 të tjerë të djegur dhe nga ky projekt lindi projekti “Persona” që ka si moto që pas çdo maske ka një person, qëllimi është të sensibilizojë empatinë, të vihemi në vendin e tjetrit dhe të mos gjykojmë.”- pati treguar Vilma kur hapi ekspozitën e saj.
Historia e sulmit me acid në vitin 2013
4 vjet më parë, më 27 gusht 2013, një burrë më sulmoi me acid teksa po dilja nga shtëpia për të vajtur në punë. Ishin të shumtë ata që mendonin se s’do t’ia dilja të ringrihesha pas kësaj goditjeje të rëndë. Nuk e mohoj, e kam menduar dhe vetë ndonjëherë këtë gjë. Por, sa herë që isha gati të dorëzohesha, i kujtoja vetes se sa e bukur ishte dhurata e të rilindurit për herë të dytë dhe që nuk duhej ta “shpërdoroja” duke u ankuar e duke qarë për fatin tim të hidhur. Përkundrazi, duhej të luftoja për të ndryshuar pikërisht atë, rrjedhën e Fatit.
Sot, pas disa vitesh, jam një Grua e vetëdijshme për forcën e saj, sepse e di që limitet e vërteta janë ata që ne i vendosim vetë vetes.
Sot, jam një Grua që nuk ka më dëshirë të fshihet, sepse nuk ka më frikë.
Sot, jam një Grua që ka zgjedhur të mos frikësohet nga stereotipet e bukurisë, sepse e di se bukuria e vërtetë i përket atij që ka një shpirt të pastër dhe që është në paqe me ndërgjegjen e vet.
Sot, jam një Grua që i dashuron vragat në fytyrë sikur të ishin rrënjët e saj.
Unë jam Vilma Dule dhe kjo është historia e një GRUAJE QË NUK U DORËZUA KURRË.’/LIVING