“Nëna ishte xheloze për suksesin tim, motra e prekur nga HIV”, raporti i komplikuar i Mariah Carey me familjarët e saj
Mariah Carey ka njoftuar dje se ka humbur në të njëjtën ditë nënën e saj, Patricia (87 vjeç) dhe motrën e saj, Alison (63 vjeçe).
Por publiku e di që Mariah nuk kishte marrëdhënie të mira me to.
Për këto raporte ajo ka shkruar në kujtimet e saj “The Meaning”, të cilat arritën majën e listës së bestsellerëve të New York Times në tetor të vitit 2020.
Nëna e saj Patricia ishte këngëtare opere nga New Yorku. Mariah ka trashëguar aftësitë e saj vokale mbresëlënëse nga ajo dhe shpesh e lavdëronte nënën që e kishte afruar aq shumë me muzikën.
Megjithatë, marrëdhënia e tyre ishte e komplikuar. Prindërit e saj u divorcuan kur Mariah ishte tri vjeçe, dhe babai i saj ndërroi jetë në vitin 2002.
Në kujtimet e saj, Mariah ka shkruar se kishte rivalitete dhe xhelozi profesionale nga nëna e saj për shkak të suksesit të vajzës. Ajo shkroi një dedikim për nënën e saj: “Por kur personi xheloz është nëna jote dhe e kupton këtë në një moshë shumë të ndjeshme, është veçanërisht e dhimbshme”.
Ajo gjithashtu foli për dashurinë e thellë që ndjente për të dhe i bëri një dedikim: “Për Pat, nënën time e cila, pavarësisht gjithçkaje, besoj se bëri më të mirën që mundi. Do të të dua sa më shumë që mundem, përgjithmonë”.
Mariah ka shkruar edhe për motrën Alison dhe vëllain Morgan. Edhe me ta ajo nuk kishte marrëdhënie. Motra e saj ishte një ish-vartëse e drogave, e infektuar me HIV dhe disa herë kishte kërkuar publikisht ndihmë prej saj.
Sipas Forbes, Mariah ka shkruar se Alison e keqtrajtonte kur ishte fëmijë, e spërkaste me ujë të valë, i jepte Valium për ta droguar dhe i ofronte kokainë.
“Është thellësisht dëshpëruese, por është personi më brilant dhe i thyer që njoh”, tha për motrën e saj. Alison e paditi për këto pretendime dhe kërkoi 1.25 milionë dollarë për dhimbje emocionale. Edhe vëllai i saj Morgan e paditi për shpifje pas pretendimeve në kujtimet e saj.
Ajo shkroi se Morgan kishte luftuar me prindërit dhe në një rast kishte shtyrë nënën aq shumë sa ajo humbi ndjenjat. Ajo pretendoi gjithashtu se ai shiste drogë kur ishte më i ri. Morgan mohoi të gjitha dhe paditi motrën për shpifje. Padia është ende në proces.
Pas vdekjes së nënës dhe motrës, Carey tha për revistën People: “Zemra më është thyer sepse humba nënën time fundjavën e kaluar. Fatkeqësisht, për një varg rrethanash tragjike, motra ime humbi jetën në të njëjtën ditë. Vlerësoj mbështetjen, dashurinë dhe respektin për privatësinë në këtë kohë të vështirë”./LIVING