Nga qelitë e Serbisë, te dasma me prokurorin e Sofjes, rrëfimi i rrallë i partizanes: Martesa me Dhimitër Zdravçevin u miratua nga Enveri
Nga Afrim Imaj
“Unë, partizania që provova tmerret e shërbimeve sekrete”. Nuk është e rastit që kujtimet e Agallia Zotos, ish-prokurores së parë të regjimit komunist, shoqes së ngushtë të Ramize Gjebresë dhe Vito Kapos, të përkëdhelurës së Byrosë Politike dhe Enver Hoxhës në shkëlqimin e saj, nisin me mbresat nga vitet e luftës, për të cilat ajo nuk e fshehu krenarinë deri në ditët e fundit të jetës.
Në numrin e kaluar publikuam historinë e rrallë të gruas nga Bregu, që zë fill që ditët e para të lëvizjes antifashiste dhe përshkruan vitet e para të regjimit komunist. Ajo, në jetëshkrimin e saj të hedhur në një fletore të thjeshtë, dëshmon për herë të parë rrethanat misterioze ku u pushkatua Ramize Gjebrea, një nga shoqet e ngushta të viteve të luftës. “Atë e pushkatuan nga mbrapa, pa i komunikuar vendimin e gjyqit”, kujton ajo. Pjesa në vijim sjell mbresat e Zotos nga ditët e studimeve në Beograd, ku shkoi bashkë me 500 të tjerë dhe misteret e misionit të besuar nga Enveri pas divorcit me Titon.
Rrugëtimi nga Beogradi në Bullgari, plotësimi i studimeve aty, lidhja me kryeprokurorin e Sofjes dhe dasma me të pa bekimin e nënës, është pjesa më interesante e shënimeve të Agllaisë. Ajo çfarë ka ndodhur me të gjatë ushtrimit të detyrës si juriste, ku është rebeluar ndaj mënyrës si operonte regjimi, duke shkelur hapur të drejtat e njeriut, ka qenë thelbi i dramës dhe i përndjekjes politike që i ka gjymtuar jetën…
NË QELINË 307, BURGU I PRISHTINËS
UDB-ja më në fund e bëri detyrën e saj. Na kapi duke propaganduar tradhtinë e Titos dhe na futi në burgun e Prishtinës. Për të shkuar deri te qelia që na kishin caktuar, kaluam nëpër një korridor të ngushtë. Përpara na printe një kapter me fener në dorë. Në të dyja krahët e korridorit dalloheshin qelitë e ngushta. Brenda tyre kishte kundërshtarë të regjimit. E gjitha kjo ishte në katin e katërt nën dhe.
Duke ecur, duke ecur, arritëm te qelia 307. “Këtu është varri juaj”, na tha polici që na tregoi portën dhe pastaj vazhdoi “Kush ka hyrë këtu, nuk ka dalë i gjallë”. Sakaq, mbylli derën, i vuri çelësin dhe u largua. I hodhëm qelisë një sy rreth e qark. Ajo ishte gati një metër e gjysmë katror dhe shumë e ulët. Unë isha 1.70 e gjatë, ndërsa Shpresa rreth 1.80cm. Pra, nuk mund të shtriheshim lirshëm. Po jo vetëm kaq. Aty nuk kishte as dyshek, as batanije, as një kuvertë, madje as kashtë. Një moment, Shpresa më përqafoi dhe ashtu siç ishim u kumbisëm dhe na zuri gjumi.
Kur u zgjuam, Shpresa më tha: “Të paktën të kishim një trung ku të vinim kokën dhe një karton për dyshek”. Ishin kushte tmerrësisht të këqija. Brenda kishim vetëm një shishe ujë për të pirë dhe për t’u larë dhe një kovë për nevojat personale. Ushqimi ishte mizerje. I gjithi ishte vetëm një kothere buke, që me sa dukej u mbetej ushtarëve. Sakaq, aty na rrihnin dhe na torturonin si kafshë. Na qëllonin me shqelma, me grushte deri sa mbeteshim pa frymë. E gjithë këmbëngulja e tyre kishte të bënte me interesimin se kush na shtynte në veprimtarinë antijugosllave, kërkonin të dinin mënyrën e organizimit etj. Një ditë erdhi te ne një xhuxh dhe në shqip na u drejtua: “Sot për ju kam një lajm të mirë dhe një dhuratë të madhe”. “Pse shqiptar je more maskara?”, iu drejtua Shpresa disi e habitur. Ai na kishte ardhur në qeli edhe më parë, po në të gjitha rastet komunikonte me ne në serbisht. Si ndenji pak, xhuxhi u kthye nga Shpresa duke iu përgjigjur: “Po, shqiptar jam, shqiptar nga Kosova”. Si ndenji disa çaste përballë nesh, na afroi te dera e qelisë dhe na tregoi portën në fund të korridorit. “Shkoni atje, tha, dhe zhdukuni, zhdukuni sa më parë!”. “Si të zhdukemi?”, i thamë ne në një zë. “Dëgjoni mua, shtoi ai, shkoni atje dhe ikni, zhdukuni…”.
Për një moment na u duk diçka provokuese, por këmbëngulja e tij na bindi dhe shkuam. Këmbë pas këmbe dolëm jashtë, ashtu të tronditura. Te trotuari në hyrje të rrugës pamë një njeri si të hutuar që nga mënyra si sillej të linte të kuptoje se nuk ishte normal. Iu afruam, kur ç’të shikonim. Ishte një shoku ynë, Kasëm Demi, një prej bashkëstudentëve shqiptar, një djalë çam me një paraqitje të bukur. Edhe ai si dukej paskësh pasur fatin tonë. Edhe atë e kishin kapur dhe e kishin burgosur duke e torturuar. Gjatë torturave kishte pësuar tronditje të fortë psikike.
Teksa mundoheshim të komunikonim me Kasemin, para nesh qëndroi një karrocë plehrash me një kalë rakitik dhe një të moshuar mbi të. Donim, nuk donim, hipëm në të dhe morëm rrugën nëpër kodra e lugina deri sa mbërritëm në kufirin serboshqiptar. Sa mbërritëm aty, erdhën ushtarët e postës së kufirit. I pari që u afrua në drejtimin tonë ishte një oficer trupmadh. Ai në fillim ndaloi pranë meje dhe si më vështroi me vëmendje, m’u drejtua: “Mos je Agllaia Zoto ti?”. “Po, i thashë dhe pasi i tregova gjithë historinë, i kërkova të na niste sa më shpejt për në Tiranë. Me të kishim qenë bashkë më vitet e luftës. Ai kishte qenë përgjegjës i një pjese të vogël të zonës së Mesaplikut. Hasan e quanin. Mbiemri nuk më kujtohet…
NGA PRISHTINA NË TIRANË
Po atë ditë mbërritëm në Tiranë. E mori vesh Enver Hoxha që u kthyem. Ishte bërë zhurmë e madhe historia jonë. Veçanërisht Ministria e Jashtme kishte nisur një aksion të gjerë me nota verbale dhe kërkesa të njëpasnjëshme për Beogradin. Me sa duket nga kjo zhurmë shpëtuam dhe ne nga kthetrat e UDB-së. Në Shqipëri diheshim të zhdukura. Bile, as daja im që ishte ambasador nuk dinte gjë për fatin tonë.
Sa mbërritëm, më thirri Enver Hoxha. “Agllai,- më tha,- kishim edhe ne një pjesë faji, por nuk kishim çfarë të bënim. Duhej patjetër që një pjesë të qëndronte aty dhe të bënte atë punë që bëtë ju. Sidoqoftë, gjërat tani do të rregullohen dhe ju do të vazhdoni studimet. Ti do të shkosh me studime në Sofje në Bullgari meqë ke dhe dajën aty ambasador”. (Në atë kohë daja im, Vasil Konomi, ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Bullgari). Ashtu u bë. Unë shkova për studime për shkenca juridike, ekonomike.
Të tjerët jo për histori, mjekësi etj. Në Tiranë u ktheva me diplomën e juristes. Më thirri Bilbil Klosi. Me të kishim qenë shokë lufte. Ai më mori në Ministrinë e Drejtësisë dhe më emëroi drejtoreshë të sektorit juridik të dikasterit të tij. Ishte një punë jo e keqe, por të them të drejtën unë nuk gjeja rehat dhe më dukej se vegjetoja pa ndonjë përgjegjësi. Kisha pasion funksionin e prokurorit dhe shkova te Manush Myftiu dhe Hysni Kapua duke u kërkuar të ushtroja këtë detyrë. Më pyetën pse këmbëngulja për t’u bërë prokurore. U shpjegova se gjatë luftës kam parë ballistë që bashkëpunuan nga afër me pushtuesin dhe kërkoja t’i vija para drejtësisë për t’u treguar vendin. Ata e panë që unë isha e vendosur dhe i telefonuan Aranit Çelës duke i thënë që të më sistemonte me detyrën e prokurores. Me Aranitin njihesha që në vitet e luftës. Që në kontaktin e parë Araniti më sqaroi se nuk mund të më bënte prokurore në qytet për t’u futur në dhoma të parandalimit e për t’u marrë me llojlloj kriminelësh të rrezikshëm. “Unë ty do të dërgoj në Veri, më tha Araniti. Aty ku armiku hedh diversant që të sabotojë popullin. Do shkosh, tha, me Enver Rexhën që është hetuesi më i shquar i Ministrisë së Brendshme. Puna juaj do të përqendrohet me hetimin e diversantëve të kapur. Pastaj kur të përpilonin aktakuzën e tyre, do t’i bini në Tiranë. Kështu vazhdova një vit si hetuese e Prokurorisë së Përgjithshme. Në vazhdim me insistimin tim më bënë prokurore të Tiranës.
PROKURORE NË TIRANË
Punova ca kohë në Veri, duke dokumentuar veprën armiqësore të diversantëve që kapnim. Të gjithë këta misionarë që vinin nga jashtë e zbarkonin ishin shqiptarë. Më kujtohet se hetuesi me të cilin punoja, me ta sillej shumë keq. Ai nevrikosej jashtë mase, i rrihte me grushte e shkelma, i qëllonte sa kishte fuqi duke i lënë shumë herë pa frymë për toke. Shpesh herë i ndërhyja duke i thënë: Mos kështu se do na mbeten në dorë dhe do ndëshkohemi ne. “Kështu e meritojnë se janë armiq, sabotatorë”, më thoshte me një bindje të padiskutueshme ai. Pas punës në Veri erdha si prokurore në Tiranë. Aty kam drejtuar vërtet seanca gjyqësore për raste vjedhjesh, abuzimesh, sabotimesh, rrahjesh, por asnjëherë çështje të karakterit ushtarak. Këto të fundit i trajtonte Gjykata Ushtarake, e cila jepte dhe dënimet kapitale.
NË SOFJE, ME POROSI TË ENVERIT
Një ditë krejt rastësisht më thirri Enveri dhe më tha se duhej të merrja nënë Uraninë që ishte sëmurë dhe të shkoja në Bullgari për ta kuruar. Interesimi i tij për nënën time, të them të drejtën, më gëzonte jo pak. Kështu, një ditë të bukur bashkë Uraninë mbërritëm në Sofje. Sa u sistemuam në hotel, i thashë nënës të pushonte dhe vetë dola për të shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme për të takuar Prokurorin e Përgjithshëm dhe kolegët e mi. Godina e saj në atë kohë ishte një nga pallatet më të bukura të Evropës. Për ndërtimin e saj kane punuar 4000 veta për 40 vjet me radhë. Ajo është ndërtuar që në fillim për pallat drejtësie dhe ka salla gjyqi madhështore.
Hipa në katin e katërt dhe trokita te zura e Prokurorit të Përgjithshëm. më priti me gëzim të madh. “Po ku je moj Shqiponjë?”, më tha që në kontaktin e parë. Gjatë studimeve në Sofje më thërrisnin “Shqiponjë” meqë isha nga Shqipëria dhe ajo njihej atëherë si vendi i shqiponjave. Aty për aty i shpjegova se pse ndodhesha në Bullgari. Gjatë bisedës, ai më tha se ishte duke u zhvilluar një simpozium ndërkombëtar për drejtësinë. Sakaq, shtoi se meqë nuk kishte përfaqësues nga Shqipëria, do të ishte mirë që unë të merrja pjesë në të. E pranova me kënaqësi ofertën, por shtova se nuk mund ta merrja këtë përgjegjësi pa u marrë vesh me Ambasadën tonë në Sofje. Ai më shpjegoi se ambasadorin shqiptar e kishte mik dhe aty për aty ngriti telefonin dhe mori Vasil Konomin. Ky i fundit, sa mori vesh për kë bëhej fjalë, ia ktheu me qesëndi:
“Paska ardhur çamarrokja më parë te Prokurori i Përgjithshëm dhe daja i saj nuk di gjë?!”. Vasili i shpjegoi se duhej të shkoja në ambasadë për të marrë porositë e rastit. Ashtu bëra. Për pak çaste u ndava me kreun e prokurorisë dhe zbrita në katin tjetër për t’u takuar me prokurorin, me të cilin kisha bërë praktikën gjyqësore gjatë viteve të shkollës. Atë e quanin Angjelov. Trokita në portën e zyrës dhe çuditërisht në karrigen e tij pashë një tjetër prokuror. Ishte Dhimitër Zdravçev, një nga të njohurit e tjerë të viteve të shkollës. Sa më pa, më takoi me përzemërsi dhe filloi të citojë disa fragmente nga vjersha e Kristobotievit, poetit më të madh bullgar me famë botërore. Biseduam disa çaste në këmbë. Pastaj më ftoi për një kafe në qytet.
E falënderova për ftesën duke i treguar se nuk kisha mundësi, pasi në hotel më priste nëna. Aty për aty më propozoi të më shoqëronte dhe u nisëm bashkë. Kur shkuam aty, nënë Urania sa e pa u vrenjt në fytyrë. Pak a shumë e dija çfarë mendonte, por se do të reagonte ashtu nuk më shkonte mëndja. Dhimitri diçka kuptoi, por nuk mund t’i shkonte mendja te fanatizmi i nënës sime. Gjithsesi, pas pesë minutash, na përshëndeti dhe u largua. Para se të ikte, e lamë që të nesërmen të shkonim bashkë në sanatorium dhe kështu bëmë. Për 20 ditë që qëndruam në Bullgari, unë gjeta mbështetjen dhe miqësinë e Dhimitrit.
Ai erdhi dhe në momentin kur do të niseshim për në Shqipëri. Kishte me vete dy kuti dhuratash, një për nënë Uraninë me një buqetë me lule të bardha si thinjat e saj dhe një për mua me tridhjetë trëndafila të kuq. Kur do ikte, më vuri buqetën e karafilave në duar dhe më puthi në faqe. Kjo ia shtoi dhe më shumë dyshimin nënës sime, e cila sa u largua Dhimitri m’u kthye qortueshëm: “Ti, bija ime, nuk do t’i thuash gjë nënës tënde?”. Pastaj kërkoi të mësonte diçka më shumë për atë që ajo e quante simpatizanti im, duke më kujtuar për të hapur pakon që më kishte dhuruar. E hapa gjithë kërshëri dhe vura para saj të gjitha suveniret e Dhimitrit, një varëse, një unazë dhe byzylykun vezullues. Nënë Urania u hodhi një sy kalimthi dhe u kthye nga unë: Pse nuk thua se ky Dhimitri t’i ka hedhur zinxhirët!…
KURORA ME PROKURORIN BULLGAR PA BEKIMIN E NËNËS
Isha kthyer në Tiranë dhe kisha rinisur nga puna në prokurori. Një ditë teksa isha në zyrë, Dhimitri më telefonoi nga Zvicra dhe më tha se do të vinte në Shqipëri dhe kërkonte të më takonte për një çështje të rëndësishme. “Si thua, më pranon?”, pyeti ai. “Si jo, me gjithë qejf!”, iu përgjigja. Tanimë Dhimitri ishte shfaqur i plotë në ofertën e tij. Rrugëtimi në Shqipëri me sa dukej do ta zbulonte përfundimisht atë. Po si do ta rregulloja me nënë Uraninë?! Nejse. Shkova në shtëpi. Në atë kohë banonim tek “Ali Demi” bashkë me njërin nga vëllezërit.
I tregova Uranisë mesazhin e telefonit të Dhimitrit. Avioni do vinte të nesërmen në orën 10. Në mbrëmje lajmërova dy mikeshat e mia, Liri Gjolikun dhe Violeta Manushin dhe bashkë me to dolëm për ta pritur Dhimitrin në aeroport. Të nesërmen ai më tha se donte të takonte Enver Hoxhën. Bisedova me sekretarin e Presidentit, një ish-partizan nga Qeparoi dhe me ndërhyrjen e tij takimi u realizua. Enveri e priti në zyrë dhe bisedoi me të rreth gjysmë ore.
Gjatë kësaj kohe ne e prisnim jashtë. Kur doli dukej i qeshur. Sa u afrua, mu drejtua me një ton emocional: “Agllaia! Nëse ti në prani të këtyre njerëzve më thua ‘po’, unë bëhem njeriu më i lumtur i botës”. Më vonë, Dhimitri më shpjegoi gjerë e gjatë si kishte rrjedhur takimi me Enverin. Qysh në fillim Enveri e kishte pyetur gjithë kërshëri: Çfarë ju solli te ne, bukuria e Shqipërisë apo bukuria e Agllaisë?! “Bukuria e të dyjave”, ishte përgjigjur Dhimitri duke i treguar arsyen e vërtetë. Pas dy-tri ditësh, kur ai ishte larguar më thirri Enveri dhe më tha se i kishte shkuar në zyrë një bullgar dhe i kishte kërkuar dorën për mua.
Sepse në atë kohë ligji e ndalonte martesën e kuadrove të lartë me të huajt. Oferta duhej të merrte pëlqimin e Byrosë Politike. E tillë ishte koha atëherë. Por e keqja në këtë rast nuk ishte te pëlqimi i Byrosë Politike, por te hezitimi i nënë Uranisë, e cila nuk e miratoi asnjëherë këtë martesë. Ajo nuk ma dha asnjëherë bekimin që japin nënat për martesat e vajzave. Sipas saj, një martesë me të huajt, të bënte të huaj për Shqipërinë. Tërë jetën e pata brengë që nuk e mora bekimin e nënë Uranisë.
NUSE DHE PROKURORE NË SOFJE
Më në fund u martova me Dhimitrin me një dasmë krejt modeste. Që të nesërmen u nisëm drejt Bullgarisë. Aty fillimisht isha e nderuar, kisha lavdi, pushtet, ndihesha e lumtur. Në Sofje punova prokurore qarku. Pastaj më bënë Prokurore të Përgjithshme dhe më së fundi më emëruan zëvendësministre. Sidoqoftë, gjërat nuk do shkonin mirë deri në fund. Një ditë më thirri Presidenti i Bullgarisë, Teodor Zhivkov, dhe më tërhoqi vëmendjen: “Ti Agllai, më tha, ke deklaruar se diktatura jonë ia kalon dhe asaj të fashizmit.
E pakënaqur je ti? Ç’të të dhurojë më shumë Partia jonë? Po vazhdove kështu, do të ta presim gjuhën!”. Kaq ishte goditja e parë. Pas saj do vinte rrebeshi, përndjekja, drama. Gjatë ushtrimit të detyrës kisha konstatuar mjaft shfaqje të shëmtuara. Veçanërisht kisha prekur korrupsionin e gjykatave. Vajzat që mbaronin studimet e juridikut dhe aplikonin për punë, përgjegjësit e gjykatave kërkonin t’i kalonin një herë në duart e tyre pastaj t’i emëronin në detyrë. Tjetër: Sipas ligjit të asaj kohe dënohej njëlloj si mendimi dhe veprimi, gjë që nuk ekzistonte në asnjë nga vendet diktatoriale. Po kështu, autoritet nuk u jepnin qytetarëve të thjeshtë pasaportë për të dalë jashtë shtetit që të takoheshin me të afërmit e tyre.
Pra, një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Me sa duket, mënyra si kisha reaguar dhe isha rebeluar unë kishte mbërritur deri te Zhukovi. Që në takimin e parë, ai më kërkoi teserën e Parisë, por unë kundërshtova dhe i thashë se do ta dorëzoja ku e kisha marrë. Po atë ditë më thirrën në Komitetin e Partisë dhe më kërkuan të njëjtën gjë duke m’u hakërryer me fjalë nga më të çuditshmet “armike e popullit”, “e padëshirueshme”, “e rrezikshme” etj. E padëshirueshme dhe e rrezikshme nuk jam unë, u thashë, por juve që keni devijuar nga premtimet që i keni dhënë popullit gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe në fillimet e pushtetit popullor. Ju e keni kthyer sistemin, të tmerrshëm, agresiv dhe brutal më keq se fashizmi. Hodha teserën e partisë mbi tavolinë dhe u largova e indinjuar…/aktoretshqiptare.com