Ëndërr në shkretëtirë! Brenda stadiumit me 115 mijë vende që kërkon finalen e Botërorit 2030
Parë nga larg, do të duket një tendë e stërmadhe mbi shkretëtirë. Sigurisht, jo një mirazh. Arkitektët që do të ndërtojnë stadiumin e ri “Old Trafford” të Manchester United, kanë marrë gjithashtu përsipër të ngrenë në Marok një stadium të ri futbolli, gjigant, me kapacitet 115 mijë vende, që do të kërkojë të jetë vendi ku do të luhet finalja e Kupës së Botës së vitit 2030.
Skicat fantastike, të publikuara nga “Mail Sport”, tregojnë me detaje si do të jetë stadiumi i ri i quajtur “Grand Stade Hassan II”.
Ai parashikohet të ndërtohet pranë qytetit të famshëm Kazablanka (Casablanca) dhe projekti është frymëzuar nga stili i jetesës së marokenëve, që mblidhen në grupe të mëdha në hapësira të quajtura “muze”.
Çatia do të jetë e ndërtuar me një fletë të veçantë alumini, ndërsa tribunat do të jenë të ndara në hapësira të veçanta, nga më ekonomiket, e deri te më luksozet.
Stadiumi është projektuar nga “Populous”, kompania e kontraktuar nga familja Galzer për ndërtimin e stadiumit të ri të Manchester United. Stadiumi do të rrethohet me kopshte të shumtë, disa prej të cilëve të ngritur në 28 metra lartësi.
Maroku ka fituar të drejtën e organizimit të Botërorit 2023 bashkë me Spanjën dhe Portugalinë por vendi ku do të luhet finalja ende nuk është caktuar. Organizatorët shpresojnë të luhet aty, por arena e re do të shërbejë edhe për ndeshjet e dy klubeve vendase.
Punimet për ndërtimin e tij do të nisin së shpejti. Christopher Lee, drejtues i “Populous”, tha: “Grand Stade Hassan II do të jetë vërtetë një ikonë, një pikë referimi për Marokun dhe futbollin. Do të bëhet një prej stadiumeve më të mëdhenj të botës”./OraNews