Kulturë

Tano Banushi, “armiku” që iu ndaluan homazhet në Teatrin “Migjeni”

Më 1946 –ën do të interpretonte në dramën  “Armiku i Popullit”  të Henrik  Ibsenit  dhe afro pesëdhjetë vjet më vonë do e dënonin heshtur me një akuzë të ngjashme, edhe pse kishte më se një vit që ishin bërë zgjedhjet e para pluraliste në vend dhe ishte instaluar sistemi demokratik në politikë.

Por më  7 gusht të  vitit 1993, dita kur aktori i madh i humorit përcillej për në banesën e fundit, dyert e “Migjeni”, teatrit ku interpretoi për dekada me radhë, si pjesë e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, u mbyllën për të mos lejuar asnjë homazh që do të kujtonte dhe nderonte jetën e tij, mbi skenë dhe jashtë saj.

Kortezhi mortor pasi u soll rreth godinës së teatrit, me shpresën se dyert do hapeshin, u nisën drejt varrezave të qytetit.

Në vitin 1993, në Shkodër, pushteti lokal i përkiste Partisë Demokratike ( ashtu siç edhe ai qendror atëkohë), ndërsa aktori qe angazhuar në radhët e Partisë Socialiste.

“Unë nuk kam lujt’ kurrë me Tanon, por megjithatë kam 25 vjet që më bren një gjë shumë e rëndë dhe me thënë të drejtën na takon ne ndoshta sot me kërku’ falje në një farë mënyre,  se 25 vjet më parë Tanoja nuk është leju’ me hy’ në teatër për me bâ homazhe për të”- ka kujtuar Rite Gjeka, ndërsa ka shtuar se i vjen turp për këtë fakt.

Banushi i qëndroi besnik ideve të tij, deri në fund, edhe pas ndërrimit të sistemeve.

Në vitin  1949  do të emërohej  korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit” e më pas,   kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë -në sektorin e agjitacion-propagandës -dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Heronjtë e Vigut”.

Aty organizonte mbrëmjet rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqjet e estradës së klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk e ndërpreu veprimtarinë artistike,  në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio “Shkodra” dhe si aktor në teatër.

E megjithatë, edhe në sistemin e kaluar diktatorial,  e dënuan me punë si elektricist në fabrikën e fermentimit të duhanit dhe e përjashtuan nga partia. Kjo, pas një debati me sekretarin e parë. Teserën e partisë ia kthyen pak kohë më vonë, në Tiranë.

Në vitin 1958, kur në Shkodër po krijohej estrada profesioniste,  në teatrin “Migjeni”,  Tano Banushi u emërua aktor profesionist.

/aktoretshqiptare.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button