Zbulohet se kur duhet pirë kafeja në mënyrë që të djegim dhjamin
Kafeja ka treguar se ka shumë përfitime shëndetësore dhe ndonëse për disa njerëz nuk është e këshillueshme që të konsumohet me tepricë, për shumicën është një aleat i shkëlqyer për të pasur energji në mëngjes. Tani mësojmë se ndihmon edhe në djegien e yndyrës, por nëse ndiqni disa këshilla.
Shumica e njerëzve duan të eliminojnë yndyrnat dhe të bëjnë muskuj. Për ta bërë këtë ata shkojnë në palestër dhe përdorin gjithashtu suplemente. Disa nga suplementet më të zakonshme janë kreatina dhe proteinat, por ekziston një produkt që për shkak të vetive që ka, gjithashtu ndihmon në përmirësimin e performancës dhe djegien e yndyrës. Bëhet fjalë për kafenë.
Shkencëtarët nga Universiteti i Granadës në Spanjë kanë dalë në përfundimin se pirja e kafesë para stërvitjes ndihmon në djegien e yndyrës. Kjo “substancë alkaloide” na ndihmon të qëndrojmë zgjuar dhe të performojmë më mirë pasi “është psikoaktive kështu që aktivizon sistemin nervor qendror për t’iu përgjigjur stimujve dhe, përveç kësaj, eliminon simptomat e përgjumjes, duke rritur nivelin e vigjilencës,” sipas Francisco J. Amaro-Gahete, profesor në Departamentin e Fiziologjisë në Universitetin e Granadës.
Siç thekson Amaro-Gahete, tek atletët “kafeina është përdorur prej vitesh për të rritur performancën sportive si në disiplinat aerobike, ashtu edhe në disiplinat e forcës dhe shpejtësisë”
Sa dhe kur duhet të pini kafe për të djegur dhjamin?
Konkretisht, është vënë re se marrja e kafeinës (rreth 3 mg/kg, ekuivalenti i një kafeje të fortë) gjysmë ore para kryerjes së ushtrimeve aerobike rrit ndjeshëm djegien e yndyrës.
Për më tepër, nëse kafeja pihet pasdite, efektet e kafeinës janë më të dukshme sesa nëse pihet në mëngjes.
Pse ju ndihmon të humbni peshë dhe pse është më mirë pasdite? Sipas Amaro-Gahete, “stërvitja në vetvete prodhon një të ashtuquajtur shkarkim të katekolaminave, hormone të tipit adrenalinë, të cilat na aktivizojnë dhe që, përveç kësaj, lidhet me lipolizën (procesi i trupit që degradon lipidet e gëlltitura ose të ruajtura në inde dhjamore) dhe me zbërthimin e triglicerideve, një veprim që rritet gjatë pasdites, gjë që favorizon më tej djegien më të madhe të yndyrës. Për më tepër, “temperatura e trupit është më e lartë pasditeve, gjë që do të ndihmonte edhe në djegien e yndyrës”.
Pirja e kafesë gjysmë ore pas ushtrimeve e ka shpjegimin në metabolizëm. Sipas Amaro-Gahete, “koha që duhet për të pasur efektin e saj varion nga 10 minuta në 30, në varësi të personit”./SYRI.net