Krim në familje/ Burri plagos me thikë gruan në Elbasan
Një 48-vjeçare është plagosur me thikë nga bashkëshorti i saj mbrëmjen e kësaj të diele në Elbasan.
Sipas policisë, 53-vjeçari e ka pritur gruan te dera e shtëpisë dhe e ka qëlluar me thikë, më pas thikën e ka hedhur në një kopsht pranë vendngjarjes.
Ai ëshë arrestuar tashmë, ndërsa gruaja është duke marrë mjekim në spital.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës për motive të dobëta ish bashkëshorten e tij, kapet dhe shoqërohet në Polici 53-vjeçari. Sekuestrohet mjeti prerës të cilin autori e kishte hedhur në një kopsht në afërsi të vendngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan pas marrjes së njoftimit se një shtetase ishte dëmtuar me mjet prerës, në rrugën “Tomorr Sinani”, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në Polici autorin e dyshuar shtetasin A. B., 53 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas dyshohet se rreth orës 21:15, për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), ish bashkëshorten e tij, 48 vjeçe, e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Policia gjeti të fshehur në afërsi të vendngjarjes mjetin prerës, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit./SYRI.net