I zhytur në borxhe, punëtori gjen diamantin me vlerë 95 000 dollarë
Pasuria e një punëtori indian ka ndryshuar brenda natës pasi ai gjeti një diamant masiv në një minierë në shtetin qendror të Madhya Pradesh. Diamanti 19,22 karatësh pritet të arrijë rreth 8 milionë rupi (95,570 dollarë) në një ankand. Raju Gound tha se ai kishte marrë me qira miniera në qytetin Panna për më shumë se 10 vjet me shpresën për të gjetur një diamant. Vendi është i famshëm për rezervat e diamanteve dhe njerëzit shpesh marrin me qira miniera të lira nga qeveria për të kërkuar gurin e çmuar. Çdo gjetje i dorëzohet zyrës qeveritare të diamantit, e cila më pas vlerëson gurin.
Shumë njerëz kanë gjetur gurë më të vegjël, po gjetja e Raju Gound ishte e e jashtëzakonshme. Ai tha se babai i tij kishte marrë me qira minierën në fshatin Krishna Kalyanpur Patti, rreth dy muaj më parë. Familja e tij merrte rregullisht me qira miniera gjatë sezonit të musonit, kur punët në bujqësi dhe ndërtim mbaronin. “Ne jemi shumë të varfër dhe nuk kemi asnjë burim tjetër të ardhurash. Kështu që e bëjmë këtë me shpresën për të fituar para”, tha ai.
“Është punë e lodhshme. Ne gërmojmë një gropë, nxjerrim copa dheu dhe guri, i lajmë në një sitë dhe më pas kërkojmë mes mijëra gurëve të vegjël për të gjetur diamante. Një pasdite, pashë diçka që i ngjante një copë xhami me një shkëlqim të dobët. Atëherë e kuptova se kisha gjetur një diamant”, tha ai.
Gound e çoi gjetjen e tij të çmuar në zyrën qeveritare të diamantit, ku u vlerësua dhe u peshua. Diamanti do të shitet në ankandin e ardhshëm qeveritar dhe ai shpreson të ndërtojë një shtëpi më të mirë për familjen e tij dhe madje të paguajë edhe shkollimin e fëmijëve. Por së pari, dëshiron të shlyejë borxhet e shumta. Ai thotë se nuk ka frikë që njerëzit do të mësojnë për gjetjen e diamantit, pasi planifikon t’i ndajë paratë mes 19 të afërmve që jetojnë me të./A2 CNN