BIRN: Mbi 70% të deputetëve të ardhshëm do t’i caktojnë kryetarët, diaspora duhet të “paguajë” të votojë
Dy partitë politike kryesore të vendit, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se kanë rënë dakord që të mbajnë me lista të mbyllura shumicën dërrmuese të mandateve të deputetëve edhe në zgjedhjet e ardhshme për parlament të parashikuara për vitin 2025, ndërsa votuesit e secilës parti do të mund të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve.
PD dhe PS ranë dakord që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor të vendit, një kompromis që pritet të materializohet nesër në seancë plenare. Mes të tjerash, palët ranë dakord që “një e treta” e listave të kandidatëve të jetë “e fiksuar” pra e mbyllur ndërsa për dy të tretat e listës votuesve të secilës palë do t’i jepet e drejta të japë një votë pëlqyese. Por nëse merren parasysh rezultatet zgjedhore të vitit 2021, ky lloj formulimi do të thotë se mbi dy të tretat e deputetëve të zgjedhur do të jenë në këto listat e mbyllura ndërsa më pak se një e treta, në listat e hapura.
Formula thotë se në një zonë zgjedhore, fjala vjen, në Kukës, ku dalin tre mandate deputetësh, secila parti do të përcaktojë një të tretën, pra 1 mandat, si vullnet i partisë ndërsa mandati i dytë mundet t’i takojë zgjedhësve për ta pëcaktuar. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Kukës Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi 1 mandat. Nëse ky rezultat do të jetë në vitin 2025, apo nëse, fjala vjen, PS merr 2 mandate dhe PD, 1, atëhere dy deputetë të zgjedhur do të jenë caktuar nga partia ndërsa 1, nga zgjedhësit. Situata ndryshon në rast se në një qark si Kukësi, një forcë e tretë politike fiton një mandat. Në këtë rast, të tre kandidatët e zgjedhur do të jenë caktuar nga partia përkatëse ndërsa zgjedhësit me votën e tyre preferenciale do të dërgojnë në parlament zero kandidatë fitues.
Në të gjitha qarqet e tjera është një situatë e ngjashme. Fjala vjen, në Shkodër, 11 mandate deputetësh u ndanë në vitin 2021 në 5 mandate PD, 2 PS, 2 PSD dhe 1 LSI. Në rast se në zgjedhjet e shkuara do të ishte votuar sipas formulës së sotme për listat, i vetmi deputet që do të zgjidhej me votë pëlqyese nga zgjedhësit do të ishte deputeti i pestë i Partisë Demokratike. Sepse pjesëtimi i 11 mandateve totale me tre jep shifrën 3.66 dhe projektligji i propozuar për kodin zgjedhor përcakton se në këtë rast, numri i mandateve të caktuara nga partia rrumbullakoset në 4. Kjo do të thotë se 2 mandatet e PS, 4 mandate të PD, 2 mandate të PSD dhe 1 mandat të LSI caktohen nga partia.
Llogaritje të BIRN të bëra me rezultatin zgjedhor të vitit 2021 dhe me formulën e re të listave tregojnë se mbi 100 deputetë nga 140 mund të dalin nga listat e mbyllura ndërsa pjesa tjetër, nga pëlqimet e zgjedhësve.
Listat e mbyllura të kandidatëve u caktuan për herë të parë në Shqipëri nga marrëveshja mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në vitin 2008. Listat e mbyllura nuk janë automatikisht të këqija në vetvete por eksperienca ka treguar se, për shkak të mungesës së kulturës demokratike brenda partive të mëdha apo të vogla shqiptare, deputetët e zgjedhur janë rezultat i vullnetit të kryetarit përkatës dhe jo i anëtarësisë së partisë, duke e bërë parlamentin një institucion të mbushur me të emërtuar të kryetarit dhe jo me deputetë përfaqësues të popullit.
Sistemi është cilësuar si një “republikë kryetarësh” në të cilën, parlamenti ka humbur funksionin e vet kushtetues si mbikëqyrës, kontrollues dhe kufizues i pushtetit ekzekutiv, duke u kthyer në një zyrë noteriale të kryeministrit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, pas protestave të shumta në lidhje me këtë sistem, Edi Rama ra dakord që të krijojë një sistem vote pëlqyese, e cila në praktikë prodhoi vetëm tre mandate deputetësh në të gjithë vendin të dalë nga pëlqimet e zgjedhësve ndërsa 137 të tjerët dolën sërish nga vullneti i kryetarit. Kjo për shkak se kandidatët e listës humbëse do të duhet të thyenin “herësin”, një shprehi matematikore që nënkuptonte nevojën për të fituar mbi 10 mijë vota pëlqyese personale, për të mundur të zëvendësonin një nga kandidatët e paracaktuar si fitues
Nga ana tjetër, dy partitë kryesore politike shqiptare, Partia Socialiste në Pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se ranë dakord në bisedimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura për të lejuar votimin në distancë të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por modalitetet e fitimit të të drejtës për të votuar në distancë janë të tilla që e bëjnë të vështirë ushtrimin real të votës nga emigrantët.
Dokumenti i dakordësuar mes palëve i rrjedhur në media, tregon se, ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votë në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit,” thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord në nivel ekspertësh ndërsa diskutimet në nivel politik vazhdojnë.
“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje,”shkruhet më tej.
Emigrantët që vendosin të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë mënyrë, paguajnë në mënyrë indirekte çrregjistrim automatik dhe humbje të së drejtës së votës si shtetas rezidentë. Projektligji duket se ka lënë pa përmendur nevojën për rikthimin e këtyre shtetasve te regjistri i votuesve rezidentë pas zgjedhjeve, nëse ata vendosin të rikthehen në atdhe ndonjëherë.
E drejta e emigrantëve për të votuar pavarësisht se nuk janë të pranishëm në atdhe ditën e votimit është debatuar gjerësisht gjatë dekadës së fundit ndërsa një vendim i Gjykatës Kushtetuese i ka kërkuar parlamentit të marrë masa për ta mundësuar këtë të drejtë. Procedurat e caktuara nga palët duket se i vendosin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit në disavantazh duke i detyruar ata të regjistrohen me kërkesë për të fituar të drejtën e votës, ndryshe sistemi ligjor historik i vendit, në të cilin, e drejta e votës vjen automatikisht pa pasur nevojë për regjistrim paraprak.
Palët politike gjithsesi i kanë dhënë të drejtë vetes që të ndërhyjnë më tej në proces me kufizime të tjera të mundshme, gjatë shqyrtimit në të ashtuquajturin “institucion rregullator”.
“Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për rregjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit,” shkruhet në propozim.
“Rregullatori” është një institucion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që përbëhet nga anëtarë të votuar nga Kuvendi i Shqipërisë sipas preferencave të palëve politike. Ky institucion është ai që do të ketë të drejtë të hartojë “listën e detajuar të dokumentacionit”. Kriteret e hartimit të listës në fjalë të dokumentacionit do të përcaktojnë me gjasa se sa e lehtë ose sa e vështirë do të jetë për popullsinë jorezidente që të votojë.
Diskriminimi i shtetasve jorezidentë përkundrejt atyre rezidentë, duke i kërkuar të parëve regjistrim me kërkesë për të marrë pjesë në zgjedhje ka gjasa që do të përbëjë një çështje për diskutim në vijim. Aktualisht gati gjysma e popullsisë prej 4.6 mlionë shtetas duket se jeton në emigrim. Emigrantët e kanë të drejtën e votës, por për ta ushtruar atë, deri më sot do të duhet të udhëtojnë drejt vendbanimit ku kanë regjistrin civil ditën e zgjedhjeve, gjë që shumica nuk e bëjnë.
Dhënia e të drejtës së votës në distancë, një praktikë e njohur në shumë vende të botës, është diskutuar si një opsion për të demokratizuar vendin, nën supozimin që emigrantët nuk janë nën presionin e partive politike, kryesisht partisë në pushtet, siç janë banorët rezidentë. Por shumë ngrenë pikëpyetje nëse një shtetas që jeton prej vitesh në emigrim është apo jo e arsyeshme që të votojë për të zgjedhur qeverinë e vendit ku nuk jeton, por që do të qeverisë shtetasit që jetojnë në këtë vend.
Në rast se vota e emigrantëve do të bëhet realitet sipas propozimit aktual, mbetet për t’u parë se sa do të jenë të interesuar emigrantët, apo sa të lehtë do t’ua bëjë procesin KQZ dhe Rregullatori për të votuar dhe se çfarë pasojash do të ketë në rezultatet zgjedhore dhe në qeverisjen e vendit./ BIRN/OraNews