Zgjedhjet në Himarë/ Kandidati i opozitës Gjikuria çel fushatën, në mbështetje të tij Dule dhe përfaqësues të PD e PL: Rikthehem për të zhvilluar fshatrat dhe qytetin
Kandidati për kryetar bashkie nga radhët e opozitës, Petro Gjikuria, ka çelur sot fushatën elektorale, duke zhvilluar një takim prezantues me banorët e Himarës.
Në fjalën e tij Gjikuria falënderoi banorët për mbështetjen teksa theksoi se rikthehet në Himarë pas kaq shumë vitesh për të sjellë vizionin e tij, për të ndryshuar fshatrat dhe qytetin të cilat ndër vite kanë mbetur të pazhvilluara.
Ai tregoi se prej vitesh është angazhuar në shoqata të ndryshme himariote në Amerikë duke mos e harruar atdheun, duke sjell donacione të ndryshme për investime në Shqipëri në shkolla apo azile për pleq.
Vangjel Dule, kreu i PBDNJ tha në çeljen e fushatës së Gjikurisë se Himara do të ketë dy kryetarë bashkie tashmë, Petro Gjikurinë për Himarën dhe Fredi Belerin në Parlamentin Europian. Sipas Dules, Edi Rama ka qenë deri më tani kryetar bashkie në Himarë duke ndryshuar sipas tij maskat e fytyrës duke vendosur njëherë maskën e Goros, më pas të Blerina Balës, Arqile Bollanos dhe tashmë të Vangjel Tavos. Qëllimi sipas Dules është të ndalet shpopullimi i Himarës largimi i qytetarëve nga pronat e veta
Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë u shpreh se Rama vendos në Himarë kandidat për interesat e veta, të cilët kanë për qëllim zaptimin e pronave të Himarës. Në 15 muaj kryetarët e bashkisë në Himarë sipas Blushit kanë qenë të korruptuar, ndërsa nuk ngurroi ta cilësonte Belerin si “të burgosurin politik të Ramës”.
Nga ana tjetër, sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso konfirmon se ka ardhur në Himarë për të shprehur mbështetjen e demokratëve dhe opozitës së bashkuar për Gjikurinë. Ai falënderoi himariotët për qëndresën e treguar kundër sistemit që edhe me kandidatin e burgosur politikisht guxuan, votuan dhe e shpallën atë fitues./panorama.com