KURIOZITETE

“Vanessa cardui” përshkon 4 200… kilometra mbi Atlantik! 

Një fluturim pa ndalesë prej 4 200 kilometrash mbi oqeanin Atlantik. Ekzaktësisht nga Afrika Perëndimore në Amerikën e Jugut, në më pak se tetë ditë me një erë të favorshme. Kjo është arritja rekord e arritur nga disa flutura të species ”Vanessa cardui”.

Duke dokumentuar fluturimin e tyre të jashtëzakonshëm transoqeanik, studimi u publikua në revistën ”Nature Communications” nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të udhëhequr nga Instituti Botanik i Barcelonës, Spanjë.

Në përpjekje për të kuptuar origjinën e këtyre fluturave të gjetura në Amerikën e Jugut, por që zakonisht migrojnë midis Evropës dhe Afrikës Sub-Sahariane, studiuesit përdorën një qasje multidisiplinare.

Së pari ata analizuan trajektoret e erës, duke identifikuar një korridor që mund të kishte mbështetur udhëtimin e tyre nga Afrika në Amerikën e Jugut.

Më pas, duke studiuar diversitetin gjenetik të fluturave, ata përcaktuan se ekzemplarët e vëzhguar në Amerikën e Jugut kishin lidhje me popullatat në Evropë dhe Afrikë, duke përjashtuar mundësinë e një origjine nga Amerika e Veriut.

Studimi i polenit të depozituar në trupat e fluturave bëri të mundur identifikimin e dy llojeve të bimëve që gjenden vetëm në Afrikën tropikale, duke treguar kështu se fluturat kishin frekuentuar lulet e atij rajoni.

Më në fund, zbulimi i izotopeve të hidrogjenit dhe stronciumit të pranishëm në krahët e tyre tregoi se jeta e tyre larve duhet të ketë ndodhur në vendet e Evropës Perëndimore si Franca, Irlanda, Britania e Madhe ose Portugalia.

”Kjo do të thotë se fluturat mbërritën në Amerikën e Jugut nga Afrika Perëndimore, duke fluturuar të paktën 4 200 kilometra mbi Atlantik, por udhëtimi i tyre mund të ketë qenë edhe më i gjatë duke filluar nga Europa dhe duke kaluar tre kontinente, me një migrim prej 7 000 kilometrash ose më shumë, kjo është një arritje e jashtëzakonshme për një insekt kaq të vogël”, vëren Clément Bataille, profesor në Universitetin e Otavës në Kanada dhe bashkautor i studimit.

Studiuesit theksojnë se ndryshimi i klimës mund të nxisë këto ngjarje të shpërndarjes në distanca të gjata, me implikime të rëndësishme për biodiversitetin dhe ekosistemet në mbarë botën./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button