Inaugurohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair në Ferizaj
Në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, gjatë kohës së luftës 1998-99.
Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.
Ai tha se para 25 vjetësh, Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.
Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.
Teksa citoi ish-kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë./OraNews