Rusia kërcënon Francën: Do sulmojmë trupat franceze, besojmë se kanë hyrë në Ukrainë
Jemi të përgatitur të shënjestrojmë trajnuesit ushtarak francezë në territorin e Ukrainës”.
Rusia nuk heq dorë së paralajmëruari Francën, të cilën e ka vënë në qendër të kërcënimeve të vazhdueshme që kur presidenti Emanuel Macron sugjeroi se mund të lejojnë dërgimin e trupave në shtetin në luftë.
Duke folur në një konferencë për shtyp me homologun e republikës së Kongos, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, tha se ka arsye për të besuar se instruktorë të Francës kishin hyrë tashme dhe po punonin në Ukrainë.
“Sa i përket trajnuesve francezë, mendoj se gjenden tashmë brenda territorit të Ukrainës.
Pavarësisht statusit të tyre, qofshin zyrtarë ushtarakë apo mercenarë, ata përfaqësojnë një shënjestër legjitime të forcave tona të armatosura”, tha Lavrov.
Deklarata vjen pasi komandanti i lartë ukrainas, Oleksandr Syrskyi pohoi javën e kaluar se kishte firmosur dokumentët për të lejuar instruktorët ushtarakë të Francës të vizitojnë së shpejti qendrat ukrainase të trajnimit.
Sakaq, zëdhënësi i Kremlini, Dmitry Peskov ka thënë se çdokush që do të trajnojë trupat ukrainase nuk ka asnjë lloj imuniteti, dhe nuk ka rëndësi nëse është francez apo jo.
Zyra e presidentit Emanuel Macron ka refuzuar të komentojë deklaratat që vijnë nga Moska.
Lavrov ka vizituar disa herë Afrikën gjatë viteve të fundit, teksa Rusia përpiqet të konsolidojë mbështetjen për luftën në Ukrainë.
Një sërë shtetesh afrikane, po shprehin frustrim me partnerët tradicionale perëndimorë si Franca dhe ShBA, e disa i kanë kthyer sytë nga Rusia për t’i ndihmuar në luftën kundër militantëve Islamikë./OraNews