HISTORIA E ISH-MINISTRIT TË ZOGUT: NJË DASHURI SI E NDOCIT DHE E EVELINËS PËRBALLË DIKTATURËS, S’ISHTE PARË E DËGJUAR, PASI…
Një dashuri si e Ndocit dhe e Evelinës, historia e një martese, që nuk e thyen as mundimet, as frika dhe as varfëria me të cilat i dënoi diktatura…
Fotografia e revistës “Minerva”, në një reportazh të vitit 1936, kur përurohej ura e Kamzës, ka fiksuar pranë e pranë ministrin e Punëve Botore të asaj kohe, Ndoc Naraçi dhe bashkëshorten e tij, Evelin. Një çift i hijshëm, ku, veçanërisht zonja, spikat për stilin e saj. Njëlloj të dashuruar, njëlloj elegant. Kështu e përshkruan çiftin Naraçi edhe pas gati 30 vitesh, Maksim Rakipaj. Në librin e tij “I mbijetuar”, ai u kushton atyre një pjesë me titull “A dashuron më njeri kështu?”.
Ishte viti 1964 në atë kohë. Maksi jetonte me familjen në Tresh. Një ditë të diel, u kishte ardhur në shtëpi për vizitë një çift që zuri menjëherë vend në kujtesën e djalit 13-vjeçar. “…shikoja me habi çiftin që ngjante sikur vinte nga një udhëtim me makinën e kohës, për nga etiketa dhe edukata në të folur dhe jo vetëm. Edhe në krehjen e flokëve. Në veshje. Mënyra si e shikonin njëri-tjetrin, gjithë dashuri. Si të porsafejuar adoleshentë…”, shkruan Maksi për Ndoc dhe Evelin Naraçin.
Çifti Naraçi kishte përjetuar sfida të pamenduara dhe kishte kaluar pengesa, ku shumë u rrëzuan.
U arrestua dhe u gjykua në gjyqin special të 1945-ës, ku u dënua me 30 vjet burg. Evelina mbeti e vetme në një tokë të huaj. E megjithatë nuk pranoi të ndahej nga bashkëshorti e të kthehej në vendlindjen e saj, Austri. Ajo e priti Ndocin, të cilit iu fal një pjesë e dënimit dhe doli nga burgu më herët seç ishte parashikuar.
Ata u vendosën në Shkodër ku jetuan për vite me radhë. Ishte pikërisht kjo periudhë kur shkojnë për vizitë në shtëpin e Maksit të vogël dhe me gjithë ç’kishin kaluar, ata ndiheshin të lumtur.
Edhe pse, siç shkruhet në biografinë e Ndoc Naraçit “u lirua më 1958 dhe jetoi në qytetin e lindjes në kushte tejet të vështira” ata, të dy, vazhdonin të rrezatonin dashuri e elegancë.
Kjo ishte fitorja e tyre ndaj diktaturës, një fitore jozyrtare, e regjistruar vetëm në ndonjë kujtesë, por fundja të vërtetat gjendeshin aty dhe jo në raporte zyrtare të mbushura me “armiq të popullit” e me “fitore të partisë”.
Nga Vjena në Tiranë
Ndoci u lind në vitin 1899 në një familje të njohur shkodrane. Mori mësimet e para në Kolegjin Saverian. Më pas, me anë të një burse nga qeveria austro-hungareze, shkoi në Vjenë. Fillimisht atje kreu një shkollë të mesme ushtarake dhe më pas studimet e larta për inxhinieri elektrike. U diplomua në Universitetin Politeknik të Vjenë, në vitin 1926.
Në sallonet e Vjenës u njoh me Evelinën. Evelina ishte e martuar dhe kishte dy djem. Por, mesa duket, ndjenjat për inxhinierin e ri shqiptar ishin aq të forta, sa ajo vendosi që të linte familjen e saj dhe t’i bashkohej Ndocit. Në Shqipëri u kthyen si burrë e grua. Ishte zgjedhja e Ndocit për t’u kthyer në atdhe, pavarësisht që i ofruan qëndrim dhe sistemim në Austri. Ishte zgjedhja e shumë të diplomuarve në Perëndim të atyre viteve që mendonin se do të peshonin më shumë në vendin e vet. Ashtu edhe ndodhi deri në çastin kur u vendos regjimi komunist dhe ata nisën të dënoheshin një nga një.
Karriera e inxhinierit të ri në Shqipërinë e viteve ’20-’30 po ecte shkëlqyeshëm. Ai nisi të punonte si inxhinier në vitet 1927-1929 në Ministrinë e Punëve Botore. Më pas për 4 vite vazhdoi si profesionist i lirë. Gjatë periudhës 1933-1944, me dy ndërprerje, qe drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telegrafëve. Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Radio Tiranës. Më 1935-1936, u emërua ministër i Punëve Botore. Ndërsa më 1943 ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe zëvendësisht ministër Arsimi në kabinetin e parë të Ekrem Libohovës.
Dënimi që nuk ndërpreu dashurinë
Detyrën e ministrit të Punëve Botore, e mbajti edhe për 3 javë në vitin 1943. Pikërisht për këtë periudhë 3-javore, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, ai do të arrestohej. Në vitin 1945, do të gjykohej në gjyqin special “për kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit”.
Gjatë pushtimit gjerman edhe pse Ndoc Naraçi ishte në postin e ministrit për pak, nuk mund të thuhet se ai ishte ndër të privilegjuarit e asaj periudhe të errët. Përkundrazi, pasi Evelin ishte me origjinë hebreje, ajo ka qenë një periudhë ankthi për familjen e tyre. Kjo mjaftonte për të jetuar nën kërcënim e pushtimin nazist.
Megjithatë, si hebre në Shqipëri, ajo nuk pati asnjë pasojë. Vetëm se ndryshe nga të tjerët, ajo nuk mundi të merrte frymë lirisht e ta festonte largimin e gjermanëve.
Një ditë para çlirimit zyrtar të Tiranës, Ndoci arrestohet nga komunistët. Nga 16 nëntori 1944 e deri më 1 mars 1945, kur nisi Gjyqi Special, ai iu nënshtrua procesit të hetimeve. Pas një muaji e ca seancash gjyqësore të drejtuara nga Koçi Xoxe, mësoi dënimin me 30 vjet heqje lirie.
Maksim Rakipaj shkruan në librin e tij që Evelinën e ftuan të largohej nga Shqipëria si shtetase e huaj, por ajo nuk pranoi.
Megjithëse e rritur me gjithë të mirat në vendin e saj dhe megjithë jetën komode që kishte pasur gjatë qëndrimit në Shqipëri, si bashkëshorte e një inxhinieri të dëgjuar, me poste të rëndësishme, ajo pranoi t’u nënshtrohej punëve të zakonshme si rrobalarëse.
Duke qenë njohëse e 4-5 gjuhëve të huaja, jepte privatisht edhe mësime gjuhësh që do e ndihmonin për të mbajtur veten dhe bashkëshortin në burg. Edhe më i egër ishte kontrasti në jetën e Ndocit. Nga inxhinier e ministër, atij iu desh të punonte në hapje kanalesh për tharjen e kënetave. Bëri edhe punë intelektuale të detyruar. Me porosi të ish-shefit të Degës së Brendshme, Halim Xheloduke, përktheu librin e Pevsner, “Jeta e dyfishtë e Yevno Azef”.
Ishte 59 vjeç, kur më 14 korrik të 1958-ës, Ndoc Naraçi doli nga burgu. I dobësuar nga tronditja, torturat, kushtet e kampeve e burgjeve dhe puna e rëndë. E ardhmja, nën regjimin që e kishte shpallur armik, ishte e pashpresë. Megjithatë një dritë ia ngrohte zemrën: Evelina.
Ajo e kishte pritur duke treguar se do ishte në krah të tij, edhe në të keq. Aq të mjera ishin rrethanat, sa pavarësisht moshës së shtyrë, atij iu desh të punonte në tharjen e kënetave edhe pas daljes nga burgu. Fodullëku i regjimit komunist përçmonte ekspertizën e një inxhinieri të diplomuar në Vjenë. Kënaqej duke e vënë të punonte me kazmë e lopatë nëpër moçalishte. Kjo edhe pasi ai e kishte kryer dënimin.
Çifti nuk kishte më vend as në Tiranë. Ata i çuan në Shkodër, vendin e lindjes së Ndocit. Atje jetuan epokën e tretë të jetës së tyre. Pas asaj në kryeqytetet e Austrisë dhe Shqipërisë.
Kaq herë dhe kaq shumë ndryshuan sfondet në fotografitë e jetës së tyre! Vetëm ata mbetën të njëjtë./kujto.al