“Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, paralajmëron Kurti: Forcat serbe janë vendosur afër kufirit me Kosovën, kërcënimi nuk është thjesht teorik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po intensifikon bashkëpunimin me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke paralajmëruar se ka rrezik të vërtetë për, siç tha ai, një luftë të re në rajon.
Gjatë fjalimit në Konferencën e Mbrojtjes, që po mbahet në Londër, Kurti tha se rreshtimi i Serbisë me Rusinë, “qasja shkatërruese” ndaj Kosovës, dhe armatimi i shpejt “janë tregues se qëllimi [i Serbisë] është përshkallëzimi me synim të realizimit të ambicieve të saj territoriale”.
Kurti tha se në kohën kur Evropa po përjeton një luftë, duke iu referuar luftës në Ukrainë, nuk duhet të injorohet edhe një luftë më rajon.
Tre nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, përfshirë 48 baza operuese përreth kufirit me Kosovën, duke mos përfshirë edhe njësi të tjera të specializuara, janë të stacionuara në jug të territorit, afër kufirit me Kosovën. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është i vërtetë”, tha Kurti.
Gjatë fjalimit në konferencën në Londër, Kurti foli edhe për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit të kaluar.
Nga sulmi i një grupi të serbëve të armatosur u vra një rreshter, ndërkaq në përleshjet që pasuan në dhe përreth Manastirit të Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kurti tha se grupi prej afër 100 individësh të armatosur kishin hyrë në Kosovë “me një plan për një konflikt më të gjatë dhe më të gjerë në pjesën veriore të shtetit tonë”.
“Nuk është vetëm rreshtimi i Serbisë me Rusinë që sugjeron se qëllimi i grupit ishte të replikonte atë që Rusia bëri në Donbas më 2014”, tha Kurti. Ai iu referua konfliktit në lindje të Ukrainës që nisi më 2014 mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase. Kurti tha se “nuk ka mëdyshje” se kush është fajtor për sulmin në Banjskë.
“Sulmi në Banjskë ndodhi për shkak të shtetit të kapur në Beograd dhe për shkak të ambicieve agresive dhe ekspansioniste të krerëve të shtetit”, tha Kurti.
Ai shtoi se Kosova nuk është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që është i cenueshëm ndaj sulmeve fizike. Sipas tij, kërcënimi manifestohet edhe përmes infrastrukturës të dezinformimit “që Rusia ka ndihmuar të ndërtohet”, e cila sipas tij, përdor ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe, që çoi në çlirimin e Kosovës “për të shpifur ndaj Perëndimit”.
Në fund të vitit të kaluar ishte publikuar një raport për dezinformatat, që ishte hartuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në raport thuhej se Kosova është e ekspozuar ndaj dezinformatave dhe narrativëve që vijnë nga Rusia dhe Kina të cilat synojnë të nxisin luftë ndëretnike dhe ndërfetare në vend, të kriminalizojnë NATO-n dhe të ulin besimin e shoqërisë në integrimet euroatlantike, si dhe të pasqyrojnë SHBA-në si shembull të keq./ rel