“Nuk kam jetuar me burrin tim për 15 vjet, por kemi një martesë të lumtur”

Margaret jeton në Londër, ndërsa burri i saj, Peter, jeton në Australi. Për shkak të distancës, ata takohen vetëm një herë në vit deri çdo 18 muaj, por megjithatë mbeten një çift besnik dhe i lumtur.
“Kam bërë shumë miq të rinj dhe jetoj vetëm në apartamentin tim të ngrohtë në Londër. Të gjitha këto i kam bërë ndërkohë që jam ende e martuar, ka qenë një përvojë e mrekullueshme”, tha Margaret në një intervistë për Woman’s Hour në BBC Radio 4.
Ky stil jete ka edhe një emër të veçantë: LAT (Living Apart Together), që përdoret për çiftet që jetojnë të ndarë, por që ruajnë marrëdhënie të qëndrueshme. Sipas statistikave zyrtare, vetëm 3% e çiftave të martuar jetojnë kështu, por Margaret beson se një martesë e përmbushur mund të ekzistojë edhe pa ndarë të njëjtën shtëpi.
Shumë figura publike kanë folur hapur për zgjedhjen e tyre për të jetuar larg njëri-tjetrit. Gwyneth Paltrow dhe bashkëshorti i saj, Brad Falchuk, kaluan pjesën e parë të martesës së tyre në shtëpi të ndara, duke thënë se kjo i ndihmoi të ruanin marrëdhënien të freskët. Edhe modelja Ashley Graham dhe bashkëshorti i saj, Justin Ervin, si dhe aktorja Helena Bonham Carter me regjisorin Tim Burton, kanë pasur lidhje në distancë për vite me radhë.
Para 15 vjetësh, jeta e Margaret ishte ndryshe: ajo kujdesej për katër fëmijët dhe nuk punonte jashtë shtëpisë, ndërsa Peter ishte mjek me kohë të plotë. Kur mbushi 57 vjeç, Margaret u rikthye në universitet dhe mbaroi një doktoraturë në gjuhësi të aplikuar, duke vendosur më pas të transferohej në Londër.
Sot, Margaret punon si Zyrtare Arsimore në Kolegjin Mbretëror të Kirurgëve, dhe beson se mund të ndjekësh karrierën, të jetosh në një vend tjetër dhe të zhvillosh interesat personale, edhe ndërkohë që jeni të martuar.
Ajo pranon se nuk ka qenë gjithçka e lehtë: për Peter, disavantazhi është vetmia në shtëpinë e familjes në Brisbane, ndërsa për Margaret mungesa e shoqërisë. Sekreti i suksesit sipas saj është komunikimi i rregullt: “I tregoj gjithçka për jetën time në Londër, për punën, miqtë e rinj dhe udhëtimet. Po kështu ndodh kur ai vjen tek unë; e adhuron këtë eksperiencë.”
Sipas Ammanda Major, Drejtore Klinike e Relate në Family Action, ky stil jete nuk është për të gjithë, por për çiftet e martuara që zgjedhin të jetojnë larg, mund të sjellë përfitime si ruajtja e identitetit personal dhe hapësirës individuale, ndërkohë që ruhet marrëdhënia bashkëshortore. E.K
Burimi:Emily Holt – BBC News