Kina, fituesja e vërtetë e luftës në Gaza!
Duke pasur parasysh dhunën brutale të luftës në Gaza, ngjan e pavend të flitet për fitues dhe humbës. Por sipas bilancit aktual, ka pak fitues. Palestinezët kanë pësuar më shumë se 26.000 njerëz të vrarë, 65.000 të plagosur dhe dëme të pallogaritshme në shtëpi dhe infrastrukturë.
Edhe pse Hamasi mund të vazhdojë të ekzistojë, pavarësisht betimit të Izraelit për ta zhdukur atë nga faqja e dheut, kjo do të jetë fitorja më e kushtueshme që ka parë historia. Por edhe Izraeli po vuan. Disa mund të mendojnë se lufta ka marrë hakun e më shumë se 1200 njerëzve që u masakruan më 7 tetor. Megjithatë deri më tani ajo as nuk e ka shkatërruar Hamasin, dhe as nuk ka siguruar lirimin e 132 pengjeve të mbetura.
Ndërkohë, është dëmtuar rëndë imazhin global i Izraelit. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit Izraeli duhet të parandalojë aktet e gjenocidit, pas padisë së Afrikës së Jugut, ishte një goditje e fortë. Edhe pse Izraeli e ruan mbështetjen e aleatëve perëndimorë, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu këmbëngul se lufta do të vazhdojë, padia në këtë gjykatë po e dëmton jo pak.
Por ndër “humbësit” më të mëdhenj deri më tani janë Shtetet e Bashkuara. Shpërqëndrimet e Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe humbja e besueshmërisë së tij, nuk janë vetëm të dëmshme për Amerikën, por tejet të dobishme për rivalin e saj global, Kinën. Kur u bë president në fillim të vitit 2021, Joe Biden premtoi të kufizonte përfshirjen e SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Kjo ishte diçka që ai e kishte kërkuar që kur ishte zëvendëspresident i Barack Obamës më shumë se një dekadë më parë. Sipas “The New Yorker”, Biden ishte “një nga zërat e fortë skeptikë për përdorimin e forcës amerikane” nën administratën Obama. Ai ishte shumë ngurrues për përdorimin e tij në Lindjen e Mesme, duke kërkuar kujdes në momentet kyçe në Libi, Siri, madje edhe në sulmin për të vrarë Osama bin Laden.
Ndërsa nuk përkrah një tërheqje të plotë strategjike nga Lindja e Mesme, Biden është rreshtuar prej kohësh me ata që kërkojnë për një angazhim më modest ushtarak dhe një fokus strategjik diku tjetër. Dhe që kur u bë president, Biden e ka vënë në praktikë këtë qasje. Prioritetet e tij strategjike nuk kanë qenë në Lindjen e Mesme por Azia dhe Kina (duke filluar nga Obama dhe Donald Trump) dhe, pas vitit 2022, lufta ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Tërheqja nga Afganistani dhe diskutimi i vazhdueshëm për tërheqjen nga Siria dhe Iraku, e nënvizuan këtë ndryshim strategjik.
Megjithatë, që nga sulmi i 7 tetorit, këto prioritete strategjike afatgjata duket se i janë nënshtruar mbështetjes së Izraelit. SHBA-ja ka dërguar aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor për të penguar veprimet e Hezbollahut, ka ndërmarrë sulme ajrore dhe ka vendosur forca speciale në Jemen në kundërpërgjigje të sulmeve të rebelëve Houthi ndaj anijeve që kalojnë në Detin e Kuq.
Po ashtu ka shenjestruar grupime të ndryshme të lidhura me Iranin në Irak dhe Siri. Pasi 3 ushtarë amerikanë u vranë nga një sulm me dron në Jordani të dielën, po rritet perspektiva për më shumë sulme ushtarake amerikane në rajon. Ngjan e pamundur që Biden të autorizojë një zhvendosje të madhe në Lindjen e Mesme.
Sigurisht nuk do të kemi asgjë të ngjashme me atë të “Luftës kundër Terrorit” të shpallur nga George W. Bush, për të cilën Biden ishte aq skeptik. Por këto vatra të ndezura në Lindjen e Mesme janë më së paku një shpërqendrim nga qëllimet strategjike e deklaruara të Biden diku tjetër.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar tashmë se lufta e Gazës po “e zhvendos fokusin” nga lufta e vendit të tij me Rusinë. Dhe është e dukshme se që nga tetori SHBA-ja e ka zbehur interesin e saj për Kievin. Kongresi po ngurron të miratojë më shumë fonde për armët për Ukrainën.
Ndërkohë, edhe përpjekja e Bidenit për të bashkuar shtetet perëndimore kundër Kinës po e humbet vrullin. Në majin e vitit 2023, ai e bindi me sukses G7-ën që të tërheqë investimet e saj në Kinë. Por që kur shpërtheu lufta në Gaza, përpjekjet e Biden kanë qenë më të fokusuara në mbajtjen e aleatëve perëndimorë në mbështetje të Izraelit sesa tek përballja me Pekinin.
Përveç shpërqendrimit nga rivaliteti me Kinën dhe Rusinë, konflikti i Gazës po dëmton besueshmërinë e SHBA-së në Jugun Global. Padia kundër Izraelit në Hagë, u mbështet nga përfaqësuesit kryesorë të botës jo-perëndimore, duke përfshirë Ligën Arabe, Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, Turqinë, Malajzinë, Brazilin, Pakistanin, Kolumbinë dhe Venezuelën.
Por pavarësisht se gjykata e paralajmëroi Izraelin për të mos bërë gjenocidit, duke pohuar se akuzat e Afrikës së Jugut kishin bazë dhe duheshin shqyrtuar, Uashingtoni këmbënguli se nuk do ta ndryshojë mbështetjen e tij për Izraelin. Kjo nxiti një varg analistësh në Perëndim dhe Jugun Global që ta akuzonin SHBA-në për hipokrizi. Ky rend i bazuar në rregulla dhe i udhëhequr nga SHBA u hodh poshtë, sepse me sa duket po vendoste kundër një aleati kryesor të SHBA-së.
Pasi administrata e Biden kaloi pjesën më të madhe të viteve 2022-2023 duke i kërkuar Jugut Global ta dënojë Rusinë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, miratimi i tij që Izraeli të sillet në mënyrë të ngjashme në Gaza, vetëm sa e përforcoi humbjen tashmë të konsiderueshme të besimit në udhëheqjen globale të SHBA-së.
Dhe sërish kjo sjell përfitime për Kinën. Për vite me radhë, Pekini e ka sfiduar udhëheqjen globale të Uashingtonit. Kur grupimi BRICS u zgjerua në konferencën e Johanesburgut të vitit të kaluar, Xi Jinping deklaroi se anëtarët e rinj do të ndihmojnë për t’i dhënë më shumë zë botës joperëndimore dhe për të dobësuar “hegjemoninë e SHBA-së”.
Narrativa e vazhdueshme e Kinës ndaj Jugut Global ka qenë se nuk mund t’i besohet SHBA-së, se ajo është egoiste, dhe se Kina, si një anëtare e vetë Jugut Global, është një aleate më e mirë. Meqë Pekini e ka zgjeruar dukshëm ndikimin e tij në pjesë të mëdha të Afrikës nën-Sahariane, Azinë Lindore dhe tani në Lindjen e Mesme, duket që ai ka gjetur një audiencë që e ka pritur krahëhapur.
Kina dhe Rusia, kanë qenë në gjendje ta tregojnë refuzimin e dukshëm të SHBA-së për të frenuar luftën e Netanyahun, si një provë më shumë se Uashingtoni është tek e fundit një forcë “koloniale”. Deri më tani Kinës i është dashur të bëjë shumë pak për të përfituar nga konflikti në Gaza.
Ndërsa SHBA-ja është shumë e përfshirë, Kina është shfaqur relativisht e përmbajtur. Udhëheqësit e saj kanë bërë deklarata, duke e dënuar agresionin izraelit dhe duke kërkuar përmbajtje, por janë fokusuar kryesisht në diskreditimin e SHBA-së në vendet e Jugut Global.
Kjo kushton pak si strategji dhe mbart potencialin që Pekini të rrisë besueshmërinë e tij për shkak të veprimeve të SHBA-së. Nëse kjo do të funksionojë në një periudhë afatgjatë, mbetet të shihet, dhe mund të varet nga mënyra se si do të zhvillohet lufta. Por tani për tani, nëse është dikush që po “fiton” nga lufta e Gazës, ajo është Kina.
Shënim: Christopher Phillips, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Mbretëreshës Mari në Londër. Autor i librit “Fushëbeteja:Dhjetë konflikte që shpjegojnë sot Lindjen e Mesme”./“Pamfleti”