ASTRIT ÇERMA ‘PËRLOTET’ NGA MALLI PËR TIRANËN: SA MË MUNGON TIRANA E ATYRE VITEVE…
Aktori i njohur Astrit Çerma, i cili ka disa vite që jeton në Amerikë së fundmi është bërë nostalgjik për Tiranën.
Kuptohet, për Tiranën e atyre viteve që ka jetuar ai, jo për Tiranën e sotme.
Se këtë Tiranë të sotme, me kaq shumë ndryshime, vështirë se do ta njihte, po ta vizitojë. Ai mallin për Tiranën e ka shprehur përmes një statusi në rrjetet sociale.
“Mbrëmë, aty nga ora 2.30 u zgjova dhe nuk më merrte më prapë gjumi. Hapa televizorin…
Një film italo-francez i Luciano Viskontit në vitet ‘60 me Alen Delon dhe Renato Salvatore “Roku dhe vëllezërit e tij”.
Ne e kemi parë aty nga viti 63… Nuk di sepse nga ai film, tek episodi i tramvajit që rrëshqiste natën nëpër rrugët e Milanos, Rroku përqafuar me të dashurën, ajo muzikë e bukur xhazi…
Eh, mu kujtua Tirana e atyre viteve dhe çuditërisht Tirana në mbrëmje me ditët me shi…
Ai i ndriçim i vakët por i ngrohtë; rrugët e lagura por të pastërta; njerëzit nën çadra, tek e tek dhe dy nga dy; urbanët që shkisnin në çdo pesë e dhjetë minuta; dhe qetësia, ajo qetësi që të lejonte të dëgjojë melodinë e bukur të shiut…
Ç’lidhje kishte filmi me kujtimet e mija?! Nuk e di…
Ju që e keni parë filmin dhe që e keni jetuar Tiranën e atyre viteve mund të më ndihmoni”, shkruan aktori i njohur, plot nostalgji e mall.