Life Style

Zamira Kita: Si u arratisa për dy javë me të dashurin, pas rënies së komunizmit. Më dënuan 6 muaj në bujqësi për biografinë

Aktorja e njohur Zamira Kita pranon se jeta akademike dhe artistike i ka lejuar mjaft argëtime, por aventura e saj ka qenë një arratisje e ëmbël për të pushuar dy javë me të dashurin e saj.

“Unë aventurë do të kujtoj të parën mendoj që kam ikur nga shtëpia dy javë me të dashurin tim që sot është bashkëshorti im në plazh, në Maqedoni. 

Kemi shkuar, ai kishte disa miq të vet atje që na rregulluan hotelin dhe bëmë ca pagesa shumë të vogla.

Ishte menjëherë pas viteve ’90, si vite janë goxha vonë dhe ju mund të çuditeni pse është kjo gjë por për ne ishte tabu, ishte kompleks shumë i madh që ti të arrije t’i mbushje mendjen familjes apo të bëje ndonjë gënjeshtër të bardhë ta quajmë se ti doje të kaloje ca kohë apo të bëje pushime me të dashurin tënd, askush s’të lejonte.

As babai, as vëllai nuk mund të ta lejonin një gjë të tillë dhe unë e kam bërë në ato vite. Dashuria ngaqë ishte një kohë shumë e gjatë, 14 vjet, besoj që midis shumë gjërave normale kemi bërë dhe gjëra anormale që quhen aventura për mua”, tha ajo.

Problemet me biografinë

Karriera është një tjetër aspekt në jetë që shënon momente të para të rëndësishme për dikë.

Aktorja Zamira Kita kujton pikërisht dy momente prej saj kur provoi triumfin e parë dhe njëkohësisht disfatën.

Kur ishte vetëm 23 vjeç ajo mundi të siguronte rolin e parë në film ndonëse sistemi i kohës nuk ia lejonte për shkak të biografisë, por iu desh të paguante edhe një çmim.

Zamira Kita: Ky është roli im i parë në film, filmi “Eja” me regjinë e Pirro Milkanit dhe e kam kujtim shumë të bukur.

Për herë të parë emocion i paparë që do luaja. Roli im i parë në film është emocion i jashtëzakonshëm sepse unë do luaja film, e kuptoni?

Për një vajzë që kish’ mbaruar Akademinë, ka qenë ’86, duhet të kisha diku te 23 vjet. Sapo kisha mbaruar Akademinë, por unë s’duhej të bëja filma se kisha biografinë e keqe.

Dhe ky film ka qenë fat që e kam bërë sepse kam shkuar në fshat u kam thënë që unë kam fituar një rol në film, a mund të shkoj?

“Po”, më thanë. Shkova në Komitetin Ekzekutiv, u thashë unë kam bërë një rol në film, a mund të shkoj? “Po”, më thanë “por pyet ata të fshatit”.

Ata më thanë “okej, pyet ata të Komitetit” dhe unë u nisa.

E kam bërë këtë film, kam marrë emocion nuk mund ta përshkruaj se çfarë ishte, e dinë aktorët ata që mbarojnë se ç’do të thotë për herë të parë t’i të bëhesh pjesë e një filmi, të të hapen rrugët.

Dhe për këtë film jam dënuar 6 muaj në bujqësi nga fshati se ma quajtën ikje pa leje, thyerje e disiplinës.

Edhe pse kishe marrë leje?

Zamira Kita: E kisha marrë lejen, por s’e kisha me shkrim, me gojë ma thanë ata mua “shko” se dhe ajo ndoshta ishte e thënë kështu.

Por ishte filmi im i parë dhe ai film ngeli. Unë kam vuajtur shumë për atë film. Por filmi ngeli kur ndryshoi politika.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button