Lajme

Presidenti Begaj dekoron Nikollë Lesin, botuesit të “Koha Jonë” i jepet titulli “Mjeshtër i Madh”

33 vite pas botimit të parë të gazetës “Koha Jonë”, Presidenti Bajram Begaj dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” themeluesin e saj, Nikollë Lesi-n, duke vlerësuar vendosmërinë në mbrojtje të fjalës së lirë.

“Emri i Nikollë Lesi-t është pazgjidhshmërisht i lidhur me gazetën që ai themeloi, drejtoi e botoi, “Koha Jonë”. Për shqiptarët që e kanë lexuar e ndjekur, gazeta “Koha Jonë” pati një ndikim shumë të fortë në kapërcyellin e dy shekujve në Shqipëri. Ajo ishte një medie e lirë, një shkollë gazetarie, një akademi që rriti dhe frymëzoi breza të tërë. Nikollë Lesi me vizionin e tij për një media të lirë e të pavarur, me frymën opozitare, vendosi në gazetarinë shqiptare standartin e guximit për të shkruar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, tha presidenti Bajram Begaj.

Duke sjellë në kujtesë rrugëtimin e vështirë e sfidues të gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi u shpreh se vlerësimi i takon të gjithë kolegëve me të cilët ka punuar.

Secili që sot ndodhet në media të ndryshme sepse jeta vazhdon, tregu mediatik është zgjeruar, një det i madh portalesh noton në dallgët e oqeanit mediatik të sotëm, por “Koha Jonë” besoj mbetet dhe të gjithë ata që kanë punuar aty e kanë të shkruar në zemër e në ballë, Made In Koha Jonë. Është një shkollë e madhe ose akademi e medias shqiptare“, u shpreh Nikollë Lesi.

Më 11 maj të vitit 1991, në qytetin e Lezhës u botua numri i parë i gazetës së pavarur “Koha Jonë” ndërsa në janar të vitit 1994 gazeta u bë e përditshme, duke dhënë një kontribut të madh në rolin e saj opozitar dhe kërkimin e së vërtetës./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button