Kudo thirrje kundër tij, Izraeli siguron finalen e “Eurovision 2024”
Artistja solo izraelite, Eden Golan, 20-vjeç, dhe kënga e saj “Hurricane” u kualifikuan për në finale e “Eurovision 2024”. Disa thirrje kundër u dëgjuan nga turma para, gjatë dhe pas performancës së Golan.
Jam shumë i mbingarkuar me emocione. Është me të vërtetë një nder të jesh këtu në skenë duke performuar dhe treguar zërin tonë dhe duke përfaqësuar me krenari”, tha Golan më vonë në konferencën për shtyp, duke shtuar se organizatorët kishin marrë masa paraprake për ta bërë ngjarjen të sigurt për të gjithë.
Organizatorët e Eurovizionit i kanë bërë rezistencë thirrjeve për të përjashtuar Izraelin lidhur me fushatën e tij ushtarake në Gaza, të shkaktuar nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke argumentuar se konkursi është një ngjarje jopolitike.
Më shumë se 10,000 aktivistë pro-palestinezë, duke përfshirë aktivisten për klimën Greta Thunberg, organizuan një protestë jo të dhunshme në orët para gjysmëfinales duke thirrur “bojkoto Izraelin”.
Mijëra persona marshuan dje të qetë nëpër rrugët e Malmos, në Suedi, për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision 2024, disa orë para hyrjes së vendit në garë.
”Unë jam një fanse e Eurovisionit dhe më thyhet zemra të mos e shoh, por po e bojkotoj”,shpjegon një suedeze 30-vjeçare, e cila nuk dëshiron të japë emrin e saj.
Nuk mund të argëtohem duke e ditur se Izraeli po merr pjesë, kur të gjithë këta fëmijë po vdesin. Mendoj se është e padrejtë”, thekson ajo.
Pjesëmarrja e Izraelit në konkursin evropian të këngës, finalja e të cilit do të mbahet të shtunën në Malmo, është kontestuar për shkak të luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, me disa peticione në të gjithë Evropën që bëjnë thirrje për përjashtimin e tij.
Në fund të marsit, kandidatët nga nëntë vende, duke përfshirë Nemo të Zvicrës, një nga favoritët, bënë thirrje për një armëpushim të qëndrueshëm.
Kandidati izraelit, Eden Golan, duhet të marrë pjesë sot në mbrëmje me këngën ”Uraganin”, në gjysmëfinalen e dytë.
“Nuk është e drejtë. Sipas mendimit tim, nëse mund ta përjashtojnë Rusinë, pse nuk mund ta bëjnë këtë për Izraelin”, pyet Marwo Mustafa, një demonstruese e re rreth të njëzetave.
Në vitin 2022, kompanitë ruse të transmetimit u përjashtuan nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili mbikëqyr konkurrencën, në vazhdën e luftës në Ukrainë.
Duke u nisur nga sheshi kryesor i Malmos, demonstruesit, më shumë se 5 000, marshuan në arterien kryesore të qytetit duke valëvitur flamujt palestinezë.
Në pankarta lexohej “Çlironi Palestinën”, “EUR legjitimon gjenocidin” ose “Nuk mund ta lajmë kolonializmin rozë”.
Aktivistja e klimës Greta Thunberg, e njohur për pozicionet e saj pro palestineze, ishte në procesion, së bashku me shumë familje./OraNews