Life Style

Historia e vërtetë dhe e panjohur e filmit “Njeriu me top”, që shumë pak vetë e dinë

Njeriu me top” është një film shqiptar i realizuar në vitin1977. Regjisor i filmit është Viktor Gjika, ndërsa skenari është shkruar nga vetë regjisori. Filmi është bazuar tek romani me të njëjtin titull, shkruar nga shkrimtari Dritëro Agolli.

Përmbajtja e filmit është e tillë: Jemi në vitet e luftës çlirimtare. Italianët kanë kapitulluar dhe janë tërhequr nga vendi. Ndërkohë që vendin e kanë pushtuar gjermanët.

Mato Gruda, personazhi kryesor i librit jeton në hasmëri me familjen e plakut Mere Fizi. Mato ka fshehur një top të cilin ëndërron ta përdorë kundër Mere Fizit dhe ka marrë në shtëpi si rob edhe një italian që e thërret Agush. Agushi i mëson Matos përdorimin e topit, pasi italiani ka qenë artiler. Kështu zbulohet e fshehta e një fshatari që lidhet me zor me luftën.

Dritëro Agolli e mori subjektin e romanit nga hasmëria midis fiseve Manuka dhe Mera në fshatrat Arapi i Poshtëm dhe Lishani i Poshtëm në Dibër. Shënimet e një prej pjesëtarëve të familjes Mera, mbi historinë e hasmërisë ndërmjet dy fiseve, shërbyen si indicie për krijimin e veprës dhe më pas të filmit.

Një njeri i familjes së tyre, të Mereve, kishte shkruar të gjithë historinë e familjes, duke treguar hasmëritë. Në ato shënime bëhej fjalë edhe për një top të artilerisë së lehtë, që tërhiqej me kuaj, që e kishin gjetur pas rënies së Italisë fashiste dhe e kishin marrë me vete me qëllimin të marrin hak ndaj shtëpisë së palës tjetër.

Fisi Mera e kishte marrë topin dhe priste rasti ta qëllonte shtëpinë armike, sepse ky fis ia kishte zhdukur të gjithë njerëzit. Shënimet, që ishin mbajtur me një vërtetësi shumë të madhe, ishin hedhur në një fletore me kapak të zi, të cilat ranë rastësisht në dorën e një gazetari të gazetës së kohës, “Zëri i popullit”.

Ndërkohë, Dritëro Agolli që kishte dëgjuar që më herët për këtë histori ishte vënë në kërkim të fletores dhe sapo dëgjoi se fletorja ishte në dorë të gazetarit, ky i fundit ia dha atë.

Agolli e mbajti gjatë atë fletore, e mbajti në një nga sirtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve për shumë kohë. Megjithëse e lexoi disa herë si histori, akoma nuk ishte i frymëzuar për të shkruar diçka për të.

Por, pas disa vitesh, atij i lindi ideja për të bërë romanin “Njeriu me top”. Si fillim ai gjeti të tjerë emra për personazhet e tij. Emri më i spikatur ishte “Mere”, një emër jo i zakonshëm ndër emrat e përveçëm shqiptar, por më ekzotik dhe mbi të gjitha që nuk i përkiste feve të ndryshme.

Një emër pa këmbësi, por me shumë ngjyrim. Ndërkohë emri “Mato” është një emër shqiptar, i përdorur sidomos në bregdet. Përzierjen e emrave Agolli e bën me qëllim që të ndihej sikur ngjarja të zhvillohej në cilindo vend të Shqipërisë dhe jo vetëm në një krahinë. Ajo mund të kishte ndodhur si në Devoll, Labëri, apo edhe në Veri, ku kishte ndodhur realisht. Kështu, duke marrë ngjarjen dhe duke ndryshuar emrat, lindi romani.

Pavarësisht ngjarjes së treguar, tendenca e romanit ishte pozitive. Në roman tregohet se njerëzit i lanë hasmëritë dhe luftuan kundër një pushtuesi të përbashkët. Romani u botua me tirazh të madh dhe u shit brenda një jave. Ndërkohë që është ribotuar disa herë.

Pasi u botua romani, regjisori Viktor Gjika, një nga regjisorët më të mirët që kemi pasur, pasi e lexoi dhe e pëlqeu shumë si libër, vendosi ta bënte film. I kërkoi Agollit t’i bënte skenarin, por Dritarë Agolli nuk ka pranuar, duke arsyetuar se ai i kishte thënë të gjitha në libër dhe se nuk mund ta trajtojë të njëjtën gjë në një gjini tjetër.

Aktori Timo Flloko ne interpretimin e rolit te Mato Grudes

Por i jepte leje, me plot dëshirë dhe besim, Viktor Gjikës që ta ndërtonte ngjarjen për film. Kështu Viktor Gjika e bëri vetë skenarin, duke u konsultuar edhe me Agollin për të arritur te filmi “Njeriu me top”.

Në film interpretojnë aktorët Timo Flloko, Stavri Shkurti, Drita Pelingu, Zef Bushati, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Thimi Filipi e Elida Cangonji. Muzika u kompozua nga Limos Dizdari. Xhirimet e filmit u bënë në fshatrat e Sarandës, Përmetit dhe Krujës.

Ndërkohë që libri u ribotua disa herë dhe u përkthye në Francë, Siri, Bullgari dhe në disa vende të tjera, filmi njohu rrugën e suksesit dhe të simpatisë së publikut. Personazhe të karaktereve si Plaku Mere, Mato Gruda, Agushi apo Hallë Esmaja, do të ngelen thellë në arkivën e artë të kinemasë dhe në kujtesën e publikut./Neritana Kraja

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button