E përfshirë në rrjete kriminale, ish-konkurrentja e Miss Ekuador vritet në mes të ditës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ekuador, pasi ish-konkurrentja për Miss është qëlluar me armë zjarri në një restorant të vogël të qytetit. Sipas mediave vendase, viktima është Landy Parraga, pjesëmarrëse në Miss Ekuador në vitin 2022, e ndërsa theksohet se vrasja e saj mund të ketë lidhje me grupet kriminale.
Në pamjet e publikuara, viktima Parraga shihet se po diskutonte në këmbë me një burrë brenda në restorant, teksa vrasësi i maskuar vjen drejt saj dhe e qëllon direkt, pa pritur që ajo të kishte mundësinë për të vepruar. Pasi bie në tokë, ai e qëllon sërish disa herë, duke e lënë të vdekur në vend.
Nisur nga autoritetet policore, e reja dyshohet se ishte e përfshirë në një rrjet kriminal, dhe vrasja e saj ka ardhur si një mënyrë për të larë hesapet mes grupeve të përfshira.
Nisur nga të dhënat e tyre më herët, emri i ish-konkurentes së bukurisë Landy Parraga u përmend në një bisedë të bërë publike nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, në dhjetor të 2023 si pjesë e një çështjeje të madhe e krimit të organizuar që po hetohej.
Një nga 52 personat që ndiqen penalisht për këtë çështje është Helive Angulo. Në bisedë, Angulo i tha trafikantit të drogës Leandro Norero, pasuritë e të cilit ai menaxhonte, se policia e kishte pyetur për Párraga. “Miku im, emri i saj nuk mund të dalë askund. Përndryshe, bota ime do të shembet”, shkruante Norero. Ai u vra në burg në vitin 2022, gjashtë muaj pas burgimit.
Landy Parraga ishte një ish-konkurrente e Miss Ekuadori, pasi përfaqësonte provincën Los Ríos në 2022. Ajo kishte më shumë se një milion ndjekës në llogaritë e saj në rrjetet sociale. / Laimi i fundit