S’ka surpriza/ Meta zgjidhet president i Partisë së Lirisë! Erisa Xhixho, zv. presidente. Ja sa vota morën
Ashtu sikur se pritej nga zgjedhjet sot në Konventën e Partisë së Lirisë, votuesit i besuan Ilir Metës postin e presidentit të Partisë së Lirisë. Meta ishte në garë me Faik Bashën.
Ai fitoi me 691 vota pro, Faika Basha mori vetëm 27 vota. Ndërkohë Ersia Xhixho u zgjodh zv. Presidente e Partisë së Lirisë. Xhixho mori 637 vota pro.
Ilir Meta premtoi se do të jetë Partia e Lirisë e rithemeluar që do të largojë nga qeveria Edi Ramën. Të tijëve në konventën kombëtare u tha se tradhëtarët dhe ata që nuk sakrifikojnë për partinë janë të përjashtuar.
Gishtin e akuzës për gjendjen ku ndodhet sot Partia e Lirisë me vetëm katër mandate në parlament e drejtoi nga Lulzim Basha.
Kryetarin e Partisë Demokratike e akuzoi se bashkë me kryesocialistin Edi Rama bashkëpunoi për të fundosur ish Lëvizjen Socialiste për Integrim. Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin i akuzoi si mafiozët e Shqipërisë.
Votimet për Presidentin e Partisë së Lirisë dhe Zëvendës Presidentin e Partisë së Lirisë, u hapën në orën 13:00 dhe u mbyllën në orën 18:00. Votimet u kryen në përputhje të plotë me normat e Statutit dhe me vendimet e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë. Gjatë procesit të votimit nuk u konstatua asnjë parregullsi dhe procesi u mbyll pasi votoi edhe delegati më i fundit, në transparencë të plotë dhe në praninë e mediave, si edhe të vëzhguesve të caktuar nga secili kandidat pjesëmarrës në garë.
Në votim kanë marrë pjesë 727 delegatë gjithsej. Nga procesi transparent i numërimit të votave, rezultoi se:
Në votimin për Presidentin e Partisë së Lirisë, morrën pjesë 727 delegatë, nga të cilët 27 votuan pro kandidatit për President, z. Faik Basha dhe 691 votuan pro kandidatit për President të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj. 5 fletë votimi rezultuan të dëmtuara dhe 4 të pavlefshme. Nga rezultati, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë, shpall fitues për postin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj.
Në votimin për Zëvendes President të Partisë së Lirisë, morrën pjesë 727 delegatë dhe pas numërimit transparent rezultuan se pro kandidaturës së znj.Myrvete Asqeri votuan pro 25 delegatë, pro kandidaturës së znj. Miranda Rira kanë votuar pro 50 delegatë dhe pro kandidaturës së znj. Erisa Xhixho kanë votuar pro 637 delegatë. 10 fletë votimi rezultuan të pavlefshme dhe 5 të dëmtuara. I urojmë suksese Presidentit të zgjedhur të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj dhe Zëvendes Presidentes të Partisë së Lirisë, znj. Erisa Xhixho.” – tha Tedi Blushi. /OraNews