“Po bëje o u bëfsh lëmsh”/ Debati për draftin e “nënave surrogato”, shpërthen Basha: Kemi marrë një vrap të çmendur drejt “askundit”
Të ftuarit në studion e emisionit “Top Story” me moderatoren Grida Duma në Top Channel diskutuan për draftin e ri që po diskutohet në vendin tonë për “nënat surrogato”.
Gjatë diskutimeve, ish-këshilltari i Oborrit Mbretëror, Murat Basha u shpreh se ka probleme shumë më të rëndësishme për t’u zgjidhur sesa diskutime për draftligje të tilla.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Murat Basha: Ne kemi halle shumë më të mëdha, kjo që po themi ne këtu është luks kjo gjë.
Grida Duma: Ka njerëz që thonë unë dua ta bëj..
Murat Basha: Po bëje ore u bëfsh lëmsh…
Milaim Zeka: Ka raste shumë të rënda në shkollë që drejtoria bën luftë për t’i mbuluar ato raste, për shembull cigarja pihet nga nxënës 12 apo 13 vjeç. Vetëm se unë e kam përmendur fjalën seks në parlamentin e Kosovës, donin të më përjashtonin. Kjo sepse kemi të bëjmë me 70% të deputetëve të cilët nuk kanë lexuar as deri në faqen 13.
Grida Duma: Ti thua deputetë që nuk përmendin këtë gjuhë, kjo sepse janë të parët që ndëshkohen nga një gjyqësi popullore, me anë të votës. Mund të ketë edhe nga ata që nuk janë të lexuar. Por a janë të gjykuar për çdo gjë jo populiste? Pa dyshim. A janë të gjykuar për çdo gjë që e thonë ndryshe? Po.
Më tej, Murat Basha u shpreh se që pas daljes nga regjimi komunist, Shqipëria po përpiqet të avancojë me shpejtësi drejt diçkaje që ai e quan “askundi”.
“Pas 90-ës, jemi hapur dhe kemi marrë një vrap të çmendur drejt askundit. Sepse për mua globalizmi është aksundi. Derisa kemi këto halle kaq të mëdha, unë tmerrohem kur mendoj të ardhmen e nipave të mi. Pra kemi halle shumë të mëdha në vend që të merremi me gjëra të tilla”– u shpreh Basha ndër të tjera. / G SH