Momenti fatal kur helikopterët përplasen në ajër gjatë stërvitjes ushtarake, 10 të vdekur në Malajzi
Një provë për një shfaqje ushtarake në Malajzi përfundoi në tragjedi kur dy nga helikopterët e marinës pjesëmarrëse u përplasën në ajër dhe u rrëzuan, duke vrarë të 10 personat në bord.
Siç shihet edhe në videot që kanë regjistruar momentin e aksidentit, njëri nga dy helikopterët goditi helikën e pasme të tjetrit duke i bërë ata të dalin jashtë kontrollit dhe përfundimisht të rrëzohen.
Sipas BBC, aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit Lumut, ku ndodhet një bazë detare. Një nga dy helikopterët HOM M503-3 me shtatë persona u rrëzua në një fushë, ndërsa i dyti, një Fennec M502-6 me tre pasagjerë, u përplas në një pishinë në zonë.
Siç njoftoi marina e Malajzisë, “të gjithë pasagjerët e dy helikopterëve humbën jetën dhe trupat e tyre janë dërguar në spitalin bazë Lumut për identifikim”/OraNews