INTERVISTA E RRALLË E AKTORES SË MADHE, VIOLETA MANUSHI- RRËFEU PËR EMOCIONET E NJË JETE NË SKENË
Rrëfimet e tyre janë arkivuar viteve përmes mikrofonit të Arratisë. Shpaloset jeta e mundimshme drejt kontributit dhe arritjeve për të lënë gjurmë të mirë ne historinë e artit, kulturës, dijes dhe mjekësisë duke dashur profesionin dhe nderuar vendin e tyre.
Ka të vërteta dhe pengje, emocione dhe sinqeritet, sfida të kapërcyera e sërish rrugëtim në këto rrëfime. Historitë e tyre të arkivuara u rizgjuan kohë më parë në Arratia në newsbomb.al me dëshirën dhe besimin se vlejnë për çfarë janë, çfarë sollën, çfarë gjurme lanë!
Nga Rezarta Reçi
Violeta Manushi ka lindur në Korçë me 6 mars 1926.
Me punën e saj u bë një ndër aktoret më në zë të skenës, ekranit dhe mikrofonit të Radios, një aktore me individualitet e aftësi të veçanta, me fuqi, me zë, me plastikë e temperament të admirueshëm. Identifikohet me rolet e saj të spikatura të gdhendura me profesionalizëm nga vetë ajo.
Arratia me Zonjën ishte realizuar në prag të 80-vjetorit të lindjes.
Dy momente do të veçoja nga ajo ditë xhirimesh. Trokitjet me bastun në oborrin e Teatrit Kombëtar për të më treguar pemën e mbjellë në nderim të veprës së saj. Shtëpia e saj në hyrje të rrugës Mine Peza ishte modeste, e rregullt e plot relike e trofe që i ruante me kujdes. Kurse shtëpia e saj e dytë, skena, e shndërronte në të privilegjuar, të adhuruar, të përkushtuar, të dedikuar, të plotfuqishme. Ëndërronte të vdiste në skenë. Iku nga kjo jetë në fund Korrik të 2007.
Një nga dëshirat e saj u realizua! Identifikohet me emrin e personazhit të Teta Ollgës sa herë përmendet emri i saj i nderuar, Violeta Manushi!
Ky material doli nga arkiva personale e gazetares në intervistën me të.
“E shikoj këtë skenë, nuk kam lënë cep të saj pa e shkelur, 60 vjet plotë! 80 vjet jetë dhe 60 vjet plot në skenë… Hera e fundit ka qenë drama e Ruzhdi Pulahes, “Streha e të harruarve”, krijuam dhe nostalgjinë e së kaluarës se shumica ishin pensionista, pak ishin të rinj, meshkujt i kishim të rinj, 3, sepse meshkujt e moshës sonë nuk janë më, kanë vdekur. Por shumica ishin pensionistë,” është rrëfimi i Violeta Manushit për veten në këtë intervistë.
“Na kanë duartrokitur shumë, sa u hap perdja e na panë, secili nga ne mori vlerën nga publiku për atë që publiku ia shijonte, batutat, rrethanat që vepronin, kështu që kemi ikur të lumtura. Unë me të tëra rolet kam rënë në dashuri dhe aktori po nuk ra në dashuri me rolin nuk nxjerr atë të saktën, atë domethënien e madhe që duhet të shfaqë përpara publikut.
Po sigurisht, si ajo nëna me shumë fëmijë ca i ka më të dashur, edhe unë kam më të dashurat sidomos kur kam luajtur gratë e vendit tim, me të mirat dhe më të metat e tyre. Kam ndjerë shumë kënaqësi kur kam marrë aprovimin e publikut me duartrokitjet e tyre të zjarrta.
Dhe madje kam edhe role të atilla që më zhdukën edhe emrin tim dhe më thërrasin me emrin e roleve siç ka qenë Tana te “14 vjeç dhëndër” Tana njëri, Tana tjetri, apo siç ka qenë Olimbia te “Karnavalet e Korçës”, siç ka qenë nëna Niçës që e dua kaq shumë atë rol, tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, e plot e plot të tjera që tani edhe nëna s’ua mban mend emrat e fëmijëve të shumtë. Ollga! Kam frikë se edhe kur të vdes nuk do thonë vdiq Violeta, por do të thonë vdiq ajo, Ollga”,- ka treguar midis të tjerash Violeta Manushi.
Violeta Manushi vdiq më 27 korrik 2007 në Tiranë./ObserverKult