Adelina Ismaili: Lejoni armëmbajtje për femrat e rrezikuara, vini re se asnjë klerik fetar nuk ka dënuar vrasjen e grave në Kosovë
Në një periudhë të zymtë për Kosovën, ku dy raste të rënda të vrasjes së grave kanë shkaktuar tronditje sociale, këngëtarja shqiptare me renome, Adelina Ismaili, ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për lejimin e armëmbajtjes për femrat në rrezik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Adelina shprehet qartë: “Lejoni armëmbajtje për femrat e rrezikuara! Femra, mbroni veten dhe jetën! Mbronit me jetë vajzat, motrat, nënat e juaja! Merruni me komentet që bëjnë thirrje për vrasje në internet! Vini re që asnjë klerik fetar nuk ka dënuar vrasjen e femrave në Kosovë! Boll më”.
Ky reagim i saj është refleksion i një shqetësimi të thellë që prek të gjithë shoqërinë kosovare. Komenti i Ismailit vjen pas dy ngjarjeve tragjike që kanë prekur thellësisht komunitetin kosovar.
Brenda një afati të shkurtër kohor, dy gra u vranë në mënyrë mizore nga partnerët e tyre, një rast në Pejë e tjetri në Ferizaj, duke ngritur shqetësime serioze në lidhje me dhunën ndaj grave dhe mënyrën se si shoqëria përballet me këtë fenomen.
Për të nderuar kujtimin e viktimave dhe për të shprehur solidaritet me familjet e tyre, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli të mërkurën ditë zie kombëtare. /Telegrafi/