Life Style

Historia e panjohur: Pse u arrestua regjisori i filmit “Skënderbeu” nga regjimi komunist dhe e dëbuan nga Tirana

Regjimi komunist e lejoi të punonte vetëm 13 muaj si regjisor filmi Viktor Stratobërdhën, pasi kishte studiuar 6 vjet në Rusi për këtë degë. Pjesa tjetër ishte dëbim nga Tirana, punë në prodhim dhe burg. Historia e regjisorit që i vunë prangat për 9 vjet dhe i lidhën duart për thuajse gjithë jetën

Këtë vit, mbushen 70 vjet nga realizimi i filmit “Skënderbeu”. Filmi “Skënderbeu-Luftëtari i madh i Shqipërisë” që është edhe filmi i parë artistik shqiptar, u realizua në vitin 1953 me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, nga vinin edhe regjisori dhe aktori kryesor i filmit. Por kishte në kastin e këtij prodhimi gjigant edhe mjaft shqiptarë, siç ishte asistentregjisori, Viktor Stratobërdha. Në vitin 1953, ai ishte student dhe puna për “Skëndërbeun” ishte puna e tij e parë e rëndësishme, me të cilën mbrojti diplomën. Një karrierë e nisur në mënyrën më madhështore të mundshme, por ja që ajo nuk zgjati më shumë se 13 muaj.

Regjisorin 30-vjeçar, që dikur kishte luftuar si partizan, e përjashtuan nga Partia në vitin 1956 pas Konferencës së Tiranës. Aryse u bënë pyetjet e tij për marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe varfërinë e popullsisë. I ndaluan një herë e përgjithmonë punën si regjisor filmi dhe e dëbuan nga Tirana në Berat, ku punoi si përgjegjës kinemaje dhe regjisor në Estradë. Dallgët e luftës së klasave, ndikuan rregullisht gjatë këtyre viteve në jetën e tij. Në vitin 1962, e dërguan në prodhim. Në vitin 1971, pati një periudhë qetësie dhe Viktor Stratobërdhën e morën sërish në estradën e Beratit, por në vitin 1976, largohet sërish. Ato dallgë arritën pikun në vitin 1979 kur edhe e përplasën në burg regjisorin. U dënua me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë nga të cilat kreu nëntë. Doli 63 vjeç nga burgu. Nuk mbetej për të bërë asgjë në vitet që i kishin mbetur regjimit komunist në Shqipëri. Me ndryshimet e fillimit të viteve ’90, provoi me çdo mënyrë të largohej nga Shqipëria, duke ia dalë vetëm përmes kalimit më këmbë të kufirit me Greqinë, ku jetoi për disa vite. Më vonë u vendos në Kanada, ku u shua në moshën 75-vjeçare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button