Rikthehet “kolla e mirë”, Bino: Do aplikojmë vaksinë në 6 dhe 13 vjeç
Rikthehet kolla e mirë ose e siç njihet në gjuhën mjekësore Pertus. Në muajt e fundit, shumë fëmijë janë prekur prej saj. Shqipëria e ka të përfshirë vaksinën kundër kollës së mirë në kalendarin kombëtar dhe injektohet në moshën 2, 4, 6 muaj dhe një dozë rikujtese në moshën 2-vjeçare.
Por shtimi i rasteve sipas shefes së Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino vjen si pasojë e uljes së mbulesës vaksinale pas pandemisë dhe zgjedhjes së prindërve për të përdorur vaksinat jo qelizore që përdoren në vende të rajoni dhe jo vaksinën që ofrohet në poliklinika.
Në këto kushte, komiteti i vaksinimit ka vendosur që të shtojë në programin kombëtar 2 doza përforcuese të vaksinës kundër kollës së mirë.
Ekspertët e shëndetësisë thonë se kolla e mirë është tejet ngjitëse dhe më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël. Shenjat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të gripit, siç është kolla që mund të zgjasë deri në 3 muaj, temperaturë apo lotim sysh. Tek bebet kjo sëmundje mund të çojë deri në probleme të frymëmarrjes./LIVING