Mirë se vini në një Utopi të teknologjisë së lartë
Në “Permutation City”, një roman i Greg Egan, personazhi Peer, pasi ka arritur pavdekësinë brenda një realiteti virtual mbi të cilin ka kontroll total, e gjen veten tmerrësisht të mërzitur. Pra, ai strukturon veten në mënyrë të atillë që të ketë pasione të reja. Në një moment ai po e shtyn veten në kufijtë e perfeksionit të matematikës së avancuar, në një moment tjetër shkruan opera.
“Ai madje njëherë ishte i interesuar për Elysians (jetën e përtejme), por jo shumë gjatë. Më pas ai preferoi të mendojë për këmbët e tavolinës.”
Paqëndrueshmëria e Peer lidhet me një pikë më të thellë. Kur teknologjia ka zgjidhur problemet më të thella të njerëzimit, çfarë mbetet për të bërë?
Kjo është një pyetje e shtruar në një libër të ri nga Nick Bostrom, një filozof në Universitetin e Oksfordit, libri i fundit i të cilit argumentoi se njerëzimi përballej me një probabilitet 1/6 për t’u zhdukur në 100 vitet e ardhshme, ndoshta për shkak të zhvillimit të formave të rrezikshme të inteligjencës artificiale (AI).
Në botimin e fundit të Bostrom, “Utopia e thellë”, ai sheh një rezultat mjaft të ndryshëm. Çfarë ndodh nëse AI shkon jashtëzakonisht mirë? Sipas një skenari të paraqitur në libër, teknologjia përparon deri në pikën në të cilën mund të bëjë të gjithë punën e vlefshme ekonomikisht me kosto gati zero.
Sipas një skenari akoma më radikal, edhe detyrat që mund të mendoni se do të rezervoheshin për njerëzit, si prindërimi, mund të bëhen më mirë nga Inteligjenca Artificiale. Kjo mund të tingëllojë më shumë distopike sesa utopike, por Bostrom argumenton të kundërtën.
Filloni me skenarin e parë. Në një botë të tillë, nevoja për punë do të reduktohej. Pothuajse një shekull më parë John Maynard Keynes shkroi një ese me titull “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”, i cili parashikonte se 100 vjet në të ardhmen pasardhësit e tij të pasur do të duhej të punonin vetëm 15 orë në javë.
Kjo ende nuk ka ndodhur, por koha e punës ka rënë ndjeshëm. Në botën e pasur, orët mesatare javore të punës kanë rënë nga më shumë se 60 në fund të shekullit të 19-të në më pak se 40 sot.
Amerikani tipik shpenzon një të tretën e orëve të zgjimit në aktivitete të kohës së lirë dhe sporte. Në të ardhmen, ata mund të dëshirojnë të shpenzojnë kohën e tyre për gjëra përtej konceptimit aktual të njerëzimit.
Siç shkruan Bostrom, kur ndihmohet nga teknologjia e fuqishme, “hapësira e përvojave të mundshme për ne shtrihet shumë përtej atyre që janë të arritshme për ne me trurin tonë aktual të pa optimizuar”.
Megjithatë, emërtimi i Bostrom për një utopi të tillë mund të jetë pak gënjyes: shpërthimi ekonomik i shkaktuar nga superinteligjenca do të ishte ende i kufizuar nga burimet fizike, veçanërisht nga Toka. Në botë të tilla, pasuria mund të jetë fantastike, por një pjesë e madhe e saj mund të përthithet nga strehimi—ashtu siç është rasti në vendet e pasura sot.
Edhe nëse Inteligjenca Artificiale i tejkalon njerëzit në art, intelekt, muzikë dhe sport, njerëzit ndoshta do të vazhdojnë të nxjerrin vlerë nga tejkalimi i njerëzve të tjerë; për shembull, duke pasur bileta për ngjarjet më të rëndësishme të historisë. Në 1977, Fred Hirsch, një ekonomist, argumentoi në “Kufijtë Socialë të Rritjes” se, ndërsa pasuria rritet, një pjesë më e madhe e dëshirës njerëzore përbëhet nga të mirat e koleksionuar. Koha e shpenzuar në konkurrencë rritet, çmimi i këtyre mallrave rritet. Ky model mund të vazhdojë në një Utopi AI.
Dalja e parakoshme në pension
Bostrom argumenton se përtej qëndron një botë “post-instrumentale”, në të cilën ai do të bëhej mbinjerëzor edhe në kujdesin ndaj fëmijëve. Vetë Keynes shkroi se “nuk ka asnjë vend dhe asnjë popull, mendoj unë, që mund të presë me padurim epokën e kohës së lirë dhe të bollëkut pa frikë. Sepse ne jemi stërvitur shumë gjatë për të luftuar dhe për të mos shijuar… Për të gjykuar nga sjellja dhe arritjet e klasave të pasura sot në çdo cep të botës, perspektiva është shumë dëshpëruese!” Bibla e thotë më shkurt: «Duart boshe janë punishtja e djallit».
Këto dinamika sugjerojnë një “paradoks progresi”. Megjithëse shumica e njerëzve duan një botë më të mirë, nëse teknologjia bëhet shumë e avancuar, ata mund të humbasin qëllimin. Bostrom argumenton se shumica e njerëzve do të gëzojnë ende aktivitete që kanë vlerë të brendshme, të tilla si ngrënia e ushqimeve të shijshme. Utopistët, duke besuar se jeta ishte bërë shumë e lehtë, mund të vendosin të sfidojnë veten, ndoshta duke kolonizuar një planet të ri në përpjekje për të ri-ndërtuar qytetërimin nga e para.
Sidoqoftë, në një moment, edhe aventura të tilla mund të mos ndihen më të vlefshme. Është një pyetje e hapur për sa kohë njerëzit do të ishin të lumtur duke kërcyer mes pasioneve, siç bën Peer në “Permutation City”. Ekonomistët kanë besuar prej kohësh se njerëzit kanë “dëshira të pakufizuara”, duke sugjeruar se ka variacione të pafundme në gjërat që njerëzit do të donin të konsumonin. Me ardhjen e një Utopie AI, kjo do të vihej në provë./The Economist / G SH