“Unë u shastisa”, rrëfimi emocionues i Margarita Xhepës për fillimet e karrierës: Kisha një familje shumë të varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha
Margarita Xhepa, ikona e skenës, teatrit dhe kinemasë “Nderi i Kombit”, festoi këtë javë 90-vjetorin e lindjes.
Kujtimet e jetës së saj të pasur ajo i ndan në një rrëfim si rrallë herë në programin Exclusive në Top Channel. Ajo rrëfen fillimet e karrierës së saj dhe sesi u bë pjesë e skenës.
“Unë kam pasur dhe pak fat. Unë erdha nga Lushnja me 7-vjeçare. Dhe atje jam ngjitur për herë të parë në skenë. Poezinë e kam dashur, nuk kam ditur ta kuptoj rëndësinë e poezisë, por thjeshtë më pëlqenin frazat.
Më doli bursa për në Lice dhe ishte një gëzim i madh. Unë nuk dije kush ishte Migjeni dhe jo më Shekspiri që do të luaja 5 herë në veprat e tij. Erdha në Lice… fati im i madh që tregoi një rrugë të madje në jetën time, ishte në juri Pandi Stillo. Kishte një intuitë të shkëlqyer. Më dha një ushtrim, atë ushtrim nuk e bëra keq, ia mbusha mendjen dhe u bind që kjo ka një emocion dhe më duartrokiti kur mbaroi. Se ishte një akuzë aty, që unë edhe u skuqa, se më akuzuan për një gjë në ushtrim që nuk e kisha bërë, edhe mu këput loti, dhe e mbrojtja veten. Dhe duke mbrojtur veten, tregova dhe grint dhe kjo i pëlqeu.
Më vendosi një dorë të ngrohtë prej babai në sup dhe me tha më prit jashtë. E prita, dhe kur doli më tha: Nesër do vish në Teatrin Popullor se bashkë me drejtorin kemi diçka për të thënë. Drejtori Kol Jakova më priti me buzëqeshje, dhe regjisori i tha që ‘këtë vajzë do ta marrim në Teatër se e pashë dje në provim’. Sepse ata kishin nevojë për një vajzë të re. Unë u shastisa sepse unë vija nga një familje shumë e varfër, kur erdha në Tiranë as valixhe nuk kisha”, rrëfen ajo.
/Top Channel