LajmeVendi

Pas Butrintit edhe Bylisi me menaxhim nga privati/ Zbardhet drafti që do të shkojë në Kuvend

Sot është mbajtur në Bylis një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të integruar të parkut

Pas Butrintit dhe Spaçit, edhe parku arkeologjik i Bylisit propozohet të menaxhohet me fondacion me institucione të specializuara.

Sipas skemës, themelues janë Ministria e Kulturës dhe institucioni i specializuar, ndërsa fondacioni do të ketë një bord, drejtor ekzekutiv dhe të punësuar janë “arkeologu, restauratori, muzeologu, laboranti, etj”.

Po ashtu, sot është mbajtur në Bylis një dëgjesë publike për planin e menaxhimit të integruar të parkut arkeologjik të Bylisit.

Pjesë nga drafti i planit të menaxhimit:

Në planin që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i dha “Balkanëeb”,  thuhet se “Në kontekstin e nevojës për një menaxhim efikas të pasurisë kulturore të Bylisit dhe rrënojave në Klos, propozohet një qasje e re. Një fondacion i ngritur nga institucione të specializuara sugjerohet si një zgjidhje e përshtatshme për këtë fazë. Ky model synon të inkorporojë jo vetëm kontributet nga donatorët por edhe bashkëpunimin me sektorin privat. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të vijojë të mbajë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndërsa fondacioni i propozuar do të merret me menaxhimin e përditshëm, organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter eduekues, evente, dhe promovime”, thuhet në draftin e prezantuar.

Sipas tij,  “misioni i këtij fondacioni të ri përfshin: Objektiva zhvillimore si promovimi kulturor dhe edukues i trashëgimisë, organizimi i shërbimeve turistike dhe zhvillimi i turizmit, si dhe gjenerimi i të ardhurave për të mbuluar shpenzimet operative dhe ato të jashtëzakonshme. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mbetet autoriteti kryesor në mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e trashëgimisë, me një institucion të specializuar të angazhuar në zhvillimin dhe menaxhimin e resurseve njerëzore dhe organizative”.

Të pranishëm në prezantim ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, arkeologë, përfaqësues nga bashkia Mallakastër, IKTK-ja, etj.

I pranishëm po ashtu ishte edhe Tomorr Luzati, i cili deri në muajin janar, ka qenë “team leader” i projektit “Bylis” në AICS (Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim). Gjatë dëgjesës publike ai  pyeti “ përse është ndërruar modeli i menaxhimit, nga menaxhim i drejtpërdrejtë publik në menaxhim me fondacion kur në pesë draftet e para propozimi ka qenë për administrim publik?”

Sipas dokumentacioni të vitit të kaluar, kur flitet për “strukturën administrative” vihet në dukje se modeli i administrimit i propozuar për Parkun Arkeologjik të Bylisit, është “menaxhimi i drejtpërdrejtë  publik me një numër të përgjithshëm prej 8 punonjësish”.

Në plan thuhet se në terma ekonomik dhe financiar, fondacioni i ri do të mbështetej së pari nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institucioni i Specializuar si themelues të tij. “Fondet fillestare do të mbulonin shpenzimet e pagave të punonjësve, sigurinë fizike dhe kosto të tjera me vlerë të vogël, ndërkohë që fondet e projektit IPA 2018 të financuar nga BE (sunk costs) do të ndihmonin restaurimin e monumenteve arkeologjike në tre vitet e para si dhe aktivitete të tjerë për komunitetin. Si rrjedhojë e këtyre investimeve, fondacioni i ri do të ishte i gatshëm që të ardhurat përmes biletarisë, eventeve, apo donacioneve t’i përdorte për shpenzimet operative ku përfshihen funksionimi i përditshëm i sitit, financimi i gërmimeve arkeologjike, punësimin e komunitetit të zonës etj”.

Po në këtë plan,  thuhet se “Bordi i Fondacionit të ri do të emërojë një Drejtor të Përgjithshëm të përgjegjshëm për menaxhimin e të gjitha operacioneve të sitit, përmes një plani menaxhues dhe një strategjie pesë ose shtatëvjeçare investimi, e cila do të përditësohet vjet dhe do të miratohet nga MEKI. Fondacioni i ri do të ketë autoritet në të gjitha sferat e funksionimit që lidhen me mirëmbajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, përfshirë menaxhimin e vizitorëve, organizimin e ngjarjeve, menaxhimin e shërbimeve turistike, zhvillimin e kapaciteteve të brendshme, dhe angazhimin me komunitetin lokal etj..” / G SH

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button