Sulm me thikë, plagoset jashtë shtëpisë së tij në Londër prezantuesi i njohur
Një prezantues i një kanali lajmesh televiziv iranian me bazë në Londër është plagosur me thikë jashtë shtëpisë së tij në kryeqytetin britanik. Këtë fakt e ka bërë me dije kanali televiziv ku ai punon.
Iran International, i cili raportoi gjerësisht në vitin 2022 për protestat antiqeveritare në Iran, tha se Pouria Zeraati, 36 vjeç, u sulmua nga një grup personash, të cilët e goditën disa herë me thikë. Policia Metropolitane tha se oficerët e specializuar kundër terrorizmit po drejtonin një hetim për ngjarjen në fjalë. Fatmirësisht gazetari ndodhet jashtë rrezikut në spital, në gjendje të qëndrueshme.
Komandanti Dominic Murphy, kreu i njësisë së komandës kundër terrorizmit të Met, tha se oficerët po hetonin çdo motiv që qëndron pas sulmit. Në nëntor 2022, dy gazetarë britaniko-iranianë të kanalit u paralajmëruan nga policia për një rrezik të mundshëm për jetën e tyre. Forca policie, të armatosura u vendosën pranë studiove të kanalit dhe barriera betoni u vendosën jashtë ndërtesës. Në të njëjtën kohë në Teheran, ministri i inteligjencës iraniane Ismail Khatib njoftoi se Iran International ishte shpallur organizatë terroriste nga regjimi i tij.