“Pallatet lundruese”: Pesë nga superjahtet më të shtrenjta në botë
Superjahtet janë sinonim i luksit të pakrahasueshëm dhe kulmit të inxhinierisë detare.
Këto “pallate lundruese” janë vendet e miliarderëve të botës, secili prej të cilëve garon për të zotëruar një pjesë të kësaj trashëgimie ekstravagante detare.
Dhe për të parë se “çfarë privilegji gëzojnë ata”, ua sjellim pesë nga superjahtet më të shtrenjtë, ultraluksoze në botë.
“History Supreme”
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në krye të listës është “History Supreme”, një jaht që ripërcakton konceptin e luksit me çmimin e tij mahnitës prej 4,8 miliardë dollarësh.
I krijuar për tri vjet me një sasi të madhe ari dhe platini që zbukurojnë strukturën e saj, “History Supreme” është mishërimi i ekstravagancës detare.
Kjo anije rreth 30 metra e gjatë, që përflitet se është në pronësi të më të pasurve të Malajzisë, përmban një suitë master të ndërtuar në një shkëmb meteori dhe një statujë të bërë nga kockat e vërteta të Tyrannosaurus Rex.
“Streets of Monaco”
Sipas Luxhabitat, koncepti i jahteve “Streets of Monaco” vlerësohet në rreth 1.1 miliard dollarë dhe e çon luksin në nivele të paprecedentë, duke imituar madhështinë e vetë principatës së Monakos.
Ky mega-jaht 155 metra i gjatë përfshin versione në miniaturë të monumenteve të Monakos, si Casino Monte Carlo, Hotel de Paris dhe një pistë makinash.
Me akomodime luksoze dhe vende argëtimi, ai konsiderohet si “një shtet sovran” në det.
“Eclipse”
Sipas Yacht World, Eclipse është në pronësi të miliarderit rus Roman Abramovich dhe vlerësohet rreth 600 milionë dollarë.
Ai është një dëshmi e luksit modern të jahteve.
Me 162 metrat e tij, dikur ishte jahti më i madh në botë, me tipare më të avancuara: dy helikopterë, 24 kabina për mysafirë, dy pishina dhe një mini-nëndetëse e aftë për t’u zhytur deri në 50 metra.
Sistemi i tij i avancuar i mbrojtjes nga raketat dhe mekanizmat e zbulimit të ndërhyrësve sigurojnë privatësi dhe siguri, duke e bërë Eclipse një “kështjellë lundruese”.
Azzam
Azzam – me çmim 600 milionë dollarë, sipas Forbes India – është i dallueshëm për madhësinë dhe shpejtësinë e tij të madhe
Me 180 metra, është një nga superjahtet më të mëdhenj në botë dhe mund të arrijë shpejtësi mbi 30 nyje falë motorëve të tij të fuqishëm reaktiv.
Në pronësi të familjes së presidentit të ndjerë të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed, Azzam kombinon ambientet e brendshme luksoze të dizajnuara nga dekoruesi francez Christophe Leoni me teknologjinë e fundit, duke vendosur një standard të ri për luksin e superjahteve.
“Motor Yacht A”
Motor Yacht A – me vlerë rreth 440 milionë dollarë, sipas Forbes India – shquhet me dizajnin e tij futuristik.
Kjo anije 119 metra përmban akomodime luksoze për 14 të ftuar dhe një dhomë gjumi master prej 230 metrash katrorë.
Dizajni i tij inovativ dhe veçoritë e bollshme e bëjnë atë një nga jahtet më të veçantë dhe më të shtrenjtë në det.
Ndryshe, këto superjahte përfaqësojnë mishërimin e luksit, mjeshtërisë dhe inovacionit teknologjik.
Andaj, zotërimi i një prej këtyre pallateve lundruese është më shumë se një deklaratë e pasurisë; është një hyrje në një botë ekskluzive të ekstravagancës së pakrahasueshme dhe luksit të porositur.
Superjahtet më të shtrenjta në botë nuk janë vetëm anije; ato janë simbolet e fundit të statusit, fuqisë dhe “një jete pa kufi në det të hapur”. /Telegrafi/