Ish-presidenti i Federatës Kineze të Futbollit dënohet me burgim të përjetshëm
Autoritetet kineze kanë dënuar ish-presidentin e Federatës së Futbollit, Chen Xuyuan me burgim të përjetshëm për ‘dëmin e pariparueshëm’ që i bëri futbollit kinez.
Xuyuan ishte president i Federatës Kineze të Futbollit midis 2019 dhe 2023, teksa një hetim i madh kundër korrupsionit zbuloi se gjatë asaj kohe ai mori afërsisht 11 milionë dollarë ryshfet.
Në vendimin e dënimit, Gjykata tha se Xuyuan i kishte shkaktuar “dëm të pariparueshëm” futbollit kinez, pasi ai do të nënshkruante shumë kontrata të diskutueshme në këmbim të ryshfeteve të mëdha, në lidhje me projekte të ndryshme futbolli, investime dhe organizime eventesh.
67-vjeçari Xuyuan ka punuar në Federatën Kineze të Futbollit midis 2010 – 2023 dhe në janar të këtij viti ai pranoi publikisht se kishte marrë ryshfet në një dokumentar qeveritar.
Madje Chen zbuloi se një ditë para se të emërohej zyrtarisht president i Federatës së Futbollit, dy zyrtarë e vizituan atë dhe i sollën dy çanta sportive plot me para në dhomën e tij të hotelit.
“Ata erdhën në dhomën time të hotelit dhe vendosën me qetësi të dy çantat me para në divan.
Më thanë: “Urime president Chen. Shpresojmë që të mund të vazhdosh të kujdesesh për ne”.
Kur i pyeta se çfarë ofrojnë, ata nuk thanë asgjë fare dhe se është diçka që të gjithë e bëjnë gjithsesi”, tha Xuyuan.
Gjykata e dënoi Xuyuan me burgim të përjetshëm për korrupsion dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Federatës u dënuan me vite të gjata në burg./OraNews