“Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë“/ Publikohet për herë të parë intervista e Ismail Qemalit: Më akuzuan se u shërbej xhonturqve, por…
Publikohet për herë të parë në Shqipëri një intervistë e Ismail Qemalit për gazetën italiane “IL PICCOLO DELLA SERA”, Trieste, më 19 qershor 1914.
Ismail Qemali flet nga Brindisi, pak para rikthimit të tij në Shqipëri.
Pas dorëheqjes nga drejtimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, në janar 1914, ai u largua për pak muaj jashtë Shqipërisë, për t’u rikthyer sërish në qershor 1914, për t’u përballur sërish me situatën jashtëzakonshme ku gjendej vendi
Në këtë intervistë Ismail Qemali flet për gjendjen e vështirë në të cilën gjendej Shqipëria dhe në mënyrë figurative dhe kuptimplotë shprehet se: “Kush ndjell erën, nuk mund të pres veçse furtunën.”
Ai thotë se, “unë që e kam përballuar rrezikun me shpirtin e qetë dhe jam urryer nga Turqia, si edhe për të mirën e atdheut, nuk pranova kryesimin e qeverisë, u akuzova si bashkëpunëtor i xhonturqve në Shqipëri.
Akuzë më qesharake dhe më të pabazë nuk mund të gjesh.”
Ismail Qemali vijon më tej intervistën duke analizuar shkaqet e anarkisë në të cilën gjendej vendi, pas veprimeve të KNK-së, Princ Vidit, Esat Toptanit dhe zhvillimit të lëvizjes dumbabiste: “Shqipëria e kishte një qeveri.
Nuk e deshën, por preferuan t’ia linin në dorë atyre që duan ta zhvasin dhe të kënaqin ambiciet e tyre të shfrenuara.
Koha është mësuesi më i mirë dhe i tregon njerëzit. Rikthehem në Vlorën time me shpirtin e qetë, sepse kam punuar përherë për të mirën e vendit tim.
Shpifjet që më kanë prekur, nuk e kanë dëmtuar dot nderin tim, të cilin do ta ruaj të paprekur deri në vdekje.”
Në sajë të karakterit të tij të fortë, integriteti i Ismail Qemalit mbeti kurdoherë i pacenueshëm. Ismail Qemali me gjithë fuqinë e shpirtit të tij fisnik, nuk rreshti asnjë ditë së punuari për Shqipërinë. Ai ishte shpëtimtari i Shqipërisë në momentin më vendimtar të historisë së saj.
Ai ishte lloji i liderit, që atë që thoshte e kishte gjithmonë të bashkërenduara me atë që bënte. Ky ka qenë perceptimi i djeshëm, ky është perceptimi i sotshëm dhe ky do të vazhdojë të jetë edhe perceptimi i nesërm i udhëheqjes së Ismail Qemalit.
Ja si e kujton, Tafil Boletini, nip i Isa Boletinit dhe bashkëpunëtor i tij i ngushtë: “Ismail Qemali axhën Isa e ka dashtë shumë dhe ia kishte besimin, por edhe ky i ka qendrue besnik deri në fund duke e vlerësuar si faktorin kryesor që e shpëtoi Shqipninë në momentin ma kritik.
Kurse të tjerëve, që ma vonë byrykateshin për pozita, në atë kohë nuk iu ra ndërmend nji gja e tillë si ngritja e flamurit…
Ismail Qemali, me falenderime e lavdëroi axhën Isa për ndihmën që ka pasë në lamën politike prej luftave të tij të pakëputuna dhe i propozoi postin e ministrit të Luftës.
Po axha Isa tha: “Jo, nuk asht ai vend për mua, pse edhe ktu e mrapa kam shumë detyra” dhe ia rekomandoi Mehmet pashë Dërallën…”
Tafil Boletini dëshmon se: “Ismail Qemali ishte jo vetëm diplomat, po edhe trim. Si pa gja të keqe thoshte, “kushdo që të na sulmojë na në kala të Kaninës do të vdesim”.”
Isa Boletini, Bajram Curri etj., ishin emisarët e fshehtë të Qeverisë së Vlorës, sepse në ato momente nuk ishte e volitshme angazhimi zyrtar i shtetit të ri shqiptar në organizimin e kryengritjes.
Prandaj në fshehtësi ata së bashku me muhaxhirët kosovarë që ishin mbledhur në Vlorë, ishin duke organizuar lëvizjen çlirimtare në krahinat shqiptare të pushtuara nga serbët e malazezët.
Një tjetër moment domethënës, i cili shpalos udhëheqjen dhe karakterin burrëror të këtyre shqiptarëve të mëdhenj, është mënyra sesi Ismail Qemali dhe Isa Boletini, e pritën vizitën propagandistike të Sulltanit në Kosovë në vitin 1911. Kjo vizite synonte paqtimin e shqiptarëve pas reprezaljeve të dhunshme që turqit kishin kryer ndaj shqiptarëve kryengritës.
Xhonturqit menduan të ndryshonin taktikë me shqiptarët dhe të shfrytëzonin rastin e realizimit të vizitës së sulltanit plak Mehmet Reshatit V në Shqipëri.
Në delegacionin që do të shoqëronte sulltanin, ata menduan të përfshinin Ismail Qemalin dhe disa deputetë të tjerë shqiptarë.
Por, Ismail Qemali e refuzoi kategorikisht pjesëmarrjen në një delegacion të tillë dhe e denoncoi këtë udhëtim në opinionin publik si qesharak dhe të padobishëm.
Tafil Boletini shkruan se, “në verën e 1911, Sulltani do mbërrinte në Kosovë në tyrben e Sulltan Muratit. Ceremonia ishte edhe një propagandë e madhe për të gjithë ata që ende besonin në Perandorinë Osmane.
Isa Boletini ishte ndër të parët në listën e atyre që do prisnin “Hazretin”, porse ai refuzoi.”
Si pasojë e qëndrimit të palëkundur të këtyre dy burrave, vizita e Sulltanit në qershor të vitit 1911, u shoqërua me ftohtësi dhe nuk i përmbushi synimet demagogjike të xhonturqve.
Porta e Lartë ndiqte taktikën e shkopit dhe karotës, duke tentuar hera-herës që t’i joshte me poste dhe privilegje shqiptarët e shquar. Megjithatë zonat malore të Shqipërisë nuk iu nënshtruan kurrë ligjit islamik (sharia) dhe vijuan të zbatonin kodin e tyre zakonor.
Tafili Boletini kujton se, “Hasan Prishtina në qershorin e vitit 1909, mbërrin në Mitrovicë, si i dërguar i posaçëm i Hysen Hilmi Pashës, Kryeministër i kohës.
Hasan Prishtina, në emër të Stambollit, i premtoi Isës shpërblime dhe paqe nëse ky do të hiqte dorë nga kryengritjet e tij të herëpashershme. Baca refuzoi.” Ismail Qemali dhe Isa Boletini do ta vazhdonin betejën e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë.
Ismail Qemali gjatë qëndrimit të tij në Francë, ku u vendos pas largimit nga Italia në prill të 1915, refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë, të cilën ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand (11 herë kryeministër i Francës) dhe disa parlamentar të tjerë francez.
Në një koktej të shtruar për nder të tij në vitin 1916, ata i kërkuan atij ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë, si mbështetje logjistike në ndërmarrjen e një aksioni të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore.
Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali, u detyrua të largohej nga Franca, së bashku me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar aty.
Kështu që ai shkoi në Spanjë, për të komunikuar më me lehtësi nëpërmjet ambasadës amerikane në Madrid, me shqiptarët e Amerikës, që e kishin caktuar ndërkohë si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris.
Më 20 dhjetor 1918, ai vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e tij të mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit.
Aty, ai do të mbyllte sytë me brengën e tij të madhe për fatin e Shqipërisë…
Ismail Qemali ishte kurdoherë i gatshëm për të mbajtur qëndrimin e duhur kundrejt së mirës dhe së keqes.
Ai ishte i përgatitur për të sakrifikuar interesin vetjak dhe për të vuajtur pasojat që vinin nga mbajtja e qëndrimit të drejtë dhe të palëkundur. Ai i mbronte kurdoherë të dobëtit dhe të braktisurit që përballeshin me padrejtësi.
Ai bënte atë që thoshte. Dhe nuk kishte asnjë forcë në tokë që mund t’a trembte.
Ka kategorizime të ndryshme për politikanët. Ka njerëz që mbahen mend si udhëheqës të mëdhenj, si burrështetas. Por, ka edhe të tjerë që shkojnë përtej këtyre kategorizimeve dhe populli iu hedh mbi krye petkun e profetit.
Kjo për shkak të trashëgimisë së tyre sublime. Ismail Qemali hynte tek kategorizimi i fundit, të cilin e ka shprehur madhërisht në vargjet e tij kushtuar Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani:
“Ish Profit dhe mbet Profit;
Dhe qëndron ashtu si ishë;
Do mbaj emrin si e kishë;
Emr’i tija i vërtetë;
Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”/OraNews