Përkujtohet Mit’hat Frashëri në 144-vjetorin e lindjes
Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot, në 144-vjetorin e lindjes, politikanin, shkrimtarin e diplomatin shqiptar Mit’hat Frashëri.
Mit’hat Frashëri (i njohur dhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka), lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Pasi u vendos familjarisht në Stamboll dhe pas vdekjes së të atit, Abdyl Frashëri, në vitin 1892, për arsimimin e tij u kujdesën Naim e Sami Frashëri, që u bënë dhe mësuesit e tij.
Në vitin 1908, fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik e me pas më 1909, revistën “Diturija”. Mit’hat Frashëri mori pjesë në Kongresin e Manastirit në nëntor 1908, ku u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit.
Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismalit Qemalit, zgjidhet ministër për punët botore. Më 1920 emërohet kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris.
Në janar 1923, zgjidhet ambasador i Shqipërisë në Greqi, detyrë të cilën e kreu deri më 1926.
Ai kishte një bibliotekë të tijën mjaft të pasur, ku numri i librave arrinte deri në 18.000 copë. Mit’hat Frashëri shkroi jetëshkrimin për Naim Frashërin me titull “Naim be Frashëri” më 1901, më 1915 novelat “Hi dhe shpuzë”, “Plagët tona” më 1924 etj.
Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger” (1919), “Albanis et Slaves” (1919). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në krye të “Organizatës së Ballit Kombëtar”.
Mit’hat Frashëri në testamentin e tij shkroi: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj., i lë për krijimin’ e një “Institut Albanologjie” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë”.
Mit’hat Frashëri vdiq më tetor 1949, gjatë një udhëtimi për në Nju-Jork./OraNews