Aurela Gaçe rrëfen fjalët e fundit të Jorgo Papingjit: Kam ngelur vetëm…
Poeti dhe “Mjeshtri i Madh”, Jorgo Papingji, u nda nga jeta ditën e enjte, pasi prej ditësh ishte i shtruar në Sanatorium, ku vuante nga një gjendje e rëndë shëndetësore.
Jorgo Papingji, la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, ku mbi katër mijë tekste këngësh dhe bashkëpunime të panumërta me një plejadë artistësh, që u kthyen në melodi poezitë e tij të mirëfillta.
Në emisionin “Jetë shqiptare”, këngëtarja Aurela Gaçe, ndau fjalë ngushëllimi për Papingjin, si edhe histori personale me të.
Në vitin 2011, Gaçe rrëmbeu çmimin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Jetoj”, shkruar nga i ndjeri Papingji.
“E sa kam dëshirë të pres, kur ke se kë të presësh, ke një ëndërr ke një shpresë”.
Vetëm me këtë varg që Jorgo Papingji ka shkruar me muzikë të Adrian Hilës, i ka thënë të gjitha.
Unë kam pasur fatin që Jorgoja, më ka besuar qysh në fillimet e mia të këndoj vargje me peshë dhe t’i jem shumë mirënjohëse.
“Ku po shkon kjo botë, nuk e di asnjeri/nuk e di as unë, nuk e di as ti”.
Këto nuk janë thjesht tekste, janë himne që Jorgo i ka shkruar siç është ndier në atë moment, me shpirtin e trazuar të poetit dhe sot e kësaj e dite mbeten hite.
Jorgoja ka shkruar rreth katër mijë këngë, imagjinojeni! Vetëm për mua mund të ketë shkruar 20. Po për të tjerë sa ka lënë?
Të flasësh për Jorgon nuk është aq e thjeshtë, sepse duhet të jesh në një moment pak më të qetë. Më trishtoi shumë. Me Jorgon flisja gjithmonë.
Shkoja e takoja, mundohesha t’i merrja ndonjë gjë tjetër, se thosha “sa të kem mundësi t’ia marr atë pjalmin që vetëm ai di ta shprehë”.
Edhe kur nuk kishim gjë për të punuar bashkë e merrja në telefon, kur kisha ndonjë koncert e ftoja dhe vinte, ashtu siç ishte i pamundur, sepse ka qenë vërtetë sëmurë këto kohë.
Vetëm për t’i shprehur mirënjohjen, vetëm për t’i shprehur dashurinë, sepse është shumë e rëndësishme t’ia shprehësh dikujt dashurinë sa është këtu fizikisht.
Për këtë ndihem mirë që të paktën nuk e kam lënë në harresë. E merrja shpesh në telefon edhe për të biseduar kot. Më ankohej, thoshte “kam ngelur vetëm tani”, megjithëse ai kishte shumë shokë e miq. Veprat e tij flasin vetë dhe nuk është nevoja. / Albeu