Pse nëndetësja turke ‘Preveza’ u ankorua në Durrës pas deklaratës së Qirjako Micotaqis?
Një akt i pastër politik që ka të bëjë me detin, me demonstrimin e forcës së Republikës së Turqisë, si një “engjëll mbrojtës” i Shqipërisë, sidomos, kur kjo e fundit ka probleme me Athinën…
Kryeministri grek, Qirjako Micotaqis, në një intervistë në emisionin e mëngjesit të televizionit SKY, më i madhi në vend, ka pranuar se çështja ‘Beleris’, është një ngërç i shtyrë nga Presidenti turk Erdogan.
Një qasje që ‘Pamfleti’ e ka bërë të ditur disa ditë para kësaj interviste…
Micotaqis, në analizën e tij përpara dy gazetarëve të njohur dhe veteranë të emisionit, ka shpjeguar me detaje kontekstin e përplasjes me Tiranën, ku mbrapa qëndronte gjithmonë Ankaraja.
E si për çudi një ditë pas kësaj interviste, në portin e Durrësit ka mbërritur një nga xhevahiret ushtarake të Flotës Detare Turke.
Përkatësisht nëndetësja “Preveza”, një nga krenaritë e industrisë ushtarake turke, e cila është e gjitha teknologji gjermane, vetëm që është montuar në Turqi.
Është një nëndetëse e vogël, por shumë moderne që përgjatë gjithë kohës noton në ujërat e Jonit e Mesdheut.
Nuk është hera e parë që “Preveza” ankorohet në Durrës. Ka ndodhur edhe në 2014 edhe në 2016, ku në të njëjtën kohë ka pasur tensione me Greqinë.
Po të shikosh foton e hyrjes së nëndetëses turke në portin e Durrësit, ajo kishte të ngritur flamurin e Turqisë, por edhe flamurin kuqezi. Një akt i pastër politik që ka të bëjë me detin, me demonstrimin e forcës së Republikës së Turqisë, si një “engjëll mbrojtës” i Shqipërisë, sidomos, kur kjo e fundit ka probleme me Athinën.
Nuk ka dyshim se “Preveza” ishte një paralajmërim për Greqinë, por edhe një problem për Shqipërinë e Edi Ramës, që gjithnjë e më shumë po i nënshtrohet një vasaliteti turk.
Një vasalitet që tashmë është institucionalizuar prej vitesh në vend, që ne nuk kemi një qëndrim tonin, por jemi në një farë mënyrë një provincë politike e sulltanatit të ri.
Në kuadrin e kërcënimit grek duket si një mbrojtje, si një krah strategjik, por që Shqipërisë i duhet të paguajë për këtë mbrojtje.
Po çfarë dhe sa do të paguajë?
Aq më shumë që kemi të bëjmë me një Turqi gjithnjë e më pak Perëndimore e më shumë lindore.
Jemi në ujëra më shumë të turbullt, sidomos kur bëhet fjalë për lëvizje të mjeteve strategjike ushtarake siç janë nëndetëset.
“Preveza” ka kohë që noton në ujërat tona, dhe demonstrimin me dy flamurë e ka bërë për të treguar se nëse Shqipëria nuk ka Flotë Detare, atë boshllëk ja mbush flota turke. E cila lëviz në ujërat tona si në shtëpinë e vet. Po a jemi një vend i pavarur realisht? “Preveza” Turke tregoi të kundërtën!/Pamfleti