Itali, Toskana ndalon mbajtjen e qenve me zinxhir
Nga sot në Toskanë nuk mund të ketë më qenë të lidhur me zinxhirë, sipas “Il Messaggero”.
Këshilli i Qarkut ka miratuar përfundimisht rregulloren që e ndalon, pas Po-së së parë dhjetorin e kaluar dhe më pas kalimit të saj në komisionin përkatës të Këshillit të Qarkut, i cili u shpreh pozitivisht.
Ndalimi ka efekt të menjëhershëm. Ai do të jetë i vlefshëm gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në verë siç ishte në vitin 2023, kur mbajtja e qenve të lidhur me zinxhirë u ndalua me urdhër të presidentit Giani sepse me vapën dhe rrezikun e zjarreve kafshët rrezikonin të ngordhnin.
Me këtë akt, rregullorja e vitit 2011 tani është ndryshuar zyrtarisht, e cila ende, megjithëse në mënyrë të jashtëzakonshme parashikonte mundësinë e mbajtjes së qenit të lidhur, për gjashtë orë në ditë me zinxhirë të paktën gjashtë metra të gjatë.
Fenomeni i qenve të lidhur me zinxhirë është më i përhapur nga sa mund të besohet dhe rregullorja e mëparshme nuk përcaktonte saktësisht se në cilat raste të jashtëzakonshme mund të mbahej një qen në këtë gjendje, duke lënë në mënyrë efektive gjithçka në diskrecionin e individëve.
Toskana po zbaton rregulloren e ngjashme të ndjekur tashmë nga Lombardia, Veneto, Emilia Romagna, Umbria, Marche, Lazio, Campania, Abruzzo, Pulia dhe provinca e Trentos.
Në Itali nuk ka asnjë ligj kombëtar të zbatueshëm në të gjithë territorin që e ndalon këtë praktikë
Me modifikimin e rregullores, Toskana ndalon mbajtjen e qenve me zinxhir ose me mjete të ngjashme frenimi, dhe përcakton saktësisht përjashtimet, pra në rastet e vërtetuara shëndetësore ose për masa urgjente sigurie.
“Është një normë qytetërimi: mbajtja e qenve me zinxhir mund të ketë pasoja të rënda, psikologjike dhe fizike, për zhvillimin e kafshëve”, tha presidenti i Toskanës, Eugenio Giani.
“Ndalimi i kësaj praktike do të ndihmojë në rritjen e mirëqenies së tyre”, tha këshilltari për të drejtën e shëndetit”, Simone Bezzini./Balkanweb