Lajme

Preku në fytyrë gazetaren sepse nuk i pëlqyen pyetjet, Unioni i Gazetarëve dënon sjelljen e Ramës: U cenua integriteti i saj fizik 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagoi pas incidentit të kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta. Kryeministri preku në fytyrë gazetaren, pas përplasjeve lidhur me pyetjet që ajo i drejtoi.

Në njoftimin e Unionit, theksohet se prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit Etik si dhe i integritetit fizik. Po ashtu në njoftimin e tyre thuhet se refuzimi i Ramës për t’iu përgjigjur pyetjeve u shoqërua me gjuhë intimiduese.

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:

Prekja fizike e gazetares është cënim i Kodit të Etikës dhe i integritetit fizik, zoti Kryeministër! Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj replikave të Kryeministrit Edi Rama me gazetaren Ambrozia Meta, e cila në të drejtën e vet profesionale këmbëngulte për një përgjigje konkrete prej kryeministrit, në konferencën për shtyp me gazetarët në datën 19 Mars 2024.

Kryeministri jo vetëm që nuk jepte një përgjigje konkrete për pyetjen specifike, por me një gjuhë replikuese dhe nga pozita e edukuesit moral shmangej nga detyrimi për të dhënë një shifër konkrete për përfitimet e mundshme publike prej njerit nga projektet më të mëdha në fushën e turizmit shqiptar.

Refuzimi dhe shmangia e Kryeministrit për përgjigje konkrete u bashkëshoqërua me një gjuhë intimiduese dhe me cenim të etikës, deri në cenim të integritetit fizik të gazetares. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj këtij momenti dhe shpreh solidaritetin me kolegen Meta, e cila spikat si reportere kurajoze në kërkim të fakteve dhe të dhënave që synojnë transparencë publike dhe llogaridhënie prej qeverisësve./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button