Rajoni

BE kërkon që në Serbi të ketë përgjegjësi për krimet e luftës e jo të dënohen ata që protestojë

Bashkimi Evropian kërkon që në Serbi të sigurohet liria e shprehjes si e drejtë themelore dhe të mos dënohen ata që protestojnë kundër madhërimit të kriminelëve të luftës.

Kështu tha zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë lidhur me dënimin me burg të një aktivisteje në Serbi për shkak se kishte hedhur vezë në një mural të gjeneralit Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.

“Drejtësia duhet të sigurojë përgjegjësi për krimet e luftës, e jo të dënojë ata që protestojnë kundër madhërimit të kriminelëve të luftës”, tha Pisonero.

Liria e shprehjes është e drejtë themelore në BE, e cila duhet të mbrohet. Çfarëdo mase e heqjes së lirisë apo çfarëdo sanksionimi penal duhet të jetë i justifikuar dhe proporcional. Një masë e tillë e vendosur në bazë të shprehjes së qëndrimeve politike është problematike dhe i nënshtrohet kufizimeve të prera sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut”, shton ajo.

Aktivistja Aida Qoroviq me kolegen e saj, Jelena Jaqimoviq, ishin arrestuar në Serbi në ditën që shënon luftën kundër fashizmit sepse kishin hedhur disa vezë në një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq.

Kjo aktiviste ishte dënuar fillimisht me 850 euro gjobë që është dashur ta paguajë deri me 14 dhjetor të vitit 2023. Në vendimin e gjykatës thuhej se Aida Qoroviq e kishte shkelur ligjin për rendin publik sepse “kishte hedhur vezë në drejtim të një ndërtese banimi”, dhe se kishte fyer policët kur ata po zbatonin detyrat e tyre.

Qoroviq tha për Radion Evropa e Lirë më 14 mars se ka një afat prej tetë ditësh gjatë së cilit duhet të lajmërohet për të kryer dënimin në burgun “Padinska skela”, ku do të duhej të qëndrojë për tre muaj.

Bashkimi Evropian disa herë ka tërhequr vërejtjen se në Serbi edhe nga niveli më i lartë, vihen në dyshim krimet e luftës, madhërohen kriminelët dhe mohohet gjenocidi. Blloku evropian po ashtu ka thënë se një sjellje e tillë nuk është në përputhje me synimin e shprehur nga Serbia se dëshiron të integrohet në BE dhe as me frymën e ndërtimit të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon./ Radio Evropa e LirëK.M/Shqiptarja.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button