“Në Vlorë trëndafili fiton vetë”, Rama: PS ka potencial për rezultat më të madh, e rëndësishme çfarë bëjmë me fitoren
Kryeministri Edi Rama i cili ka qenë në Vlorë në kuadër të takimeve për rienergjizimin e Partisë Socialiste, tha se qeveria nuk duhet të kënaqet me progresin ekonomik të bërë deri më tani.
Sipas tij, duhet që ekonomia të fuqizohet duke investuar në sektorë me potencial të madh, si turizmi.
“Ne kemi bërë progres në ekonomi por nëse ekonomia sot është më mirë se çka qenë ndonjëherë tjetër, progresi është i pamjaftueshëm sepse krahasimi me të djeshmen është i pakrahasueshëm. Ne duhet ta fuqizojmë më tepër ekonominë dhe të bëjmë gjërat që duhet në një sektor ku ka potencial shumë të madh”– tha Rama
Sa i takon rezultateve të arritura nga PS në qytetin bregdetar, Rama tha se mundësia është që të ketë arritje edhe më të mëdha. Kryesocialisti tha se ambicia në Vlorë është për rezultat akoma më të madh pasi vetë logo e PS mund të fitojë përballë forcave të tjera politike.
“Vlora është një nga pikat ku shembujt e progresit të bërë janë të shumtë por edhe një nga pikat ku mund të shihet sesa shumë ka për të humbur nëse PS nuk është në lartësinë e detyrës dhe nuk është në gjendje të sillet si forcë që ka mbi shpatulla Shqipërinë. Vlora është një vend ku ne kemi marrë rezultate që në dukje janë të larta, në fakt Vlora është një vend ku nuk kemi marrë rezultatin që duhet të marrim. Në Vlorë trëndafili fiton vetë. Ambicia jonë në Vlorë është për më shumë që potencialin që kemi ta shfrytëzojmë maksimalisht. Në Vlorë çështja nuk është a fitojmë apo jo por çfarë bëjmë me fitoren. Sepse ajo që marrim mbrapsht është një rritje ekonomike më e madhe.”– përfundoi kryeministri. /Top Channel