Sport

Simulohet shorti i Champions League? Finale e parakohshme dhe një derbi në fazën çerekfinale

Atletiko e Madridit ishte skuadra e fundit që u kualifikua në çerekfinalet e Champions League. Penalltitë ishin vendimtare dhe eliminuan Interin, skuadrën e fundit italiane të mbetur në garë.

Nesër në orën 12 do të hidhet shorti i plotë me çiftet jo vetëm për raundin tjetër, por edhe për gjysmëfinalet dhe finalen në Londër. Përveç “Los Kolçoneros”, janë edhe dy skuadra të tjera spanjolle: Reali i Madridit dhe Barcelona.

Më pas dy skuadra angleze: Mançester Siti dhe Arsenali, dy skuadra gjermane: Bajerni i Mynihut dhe  Borusia e Dortmundit. Për të plotësuar grupin e çerekfinalistëve, skuadra franceze e PSG.

Rregullat e shortit janë shumë të thjeshta, duke qenë se nuk ka më kufizime për kombësinë apo fazën e grupeve, asnjë përballje nuk mund të përjashtohet.

Sipas kompanive të basteve, kampionët në fuqi, Mançester Siti janë favoritët për të fituar sërish Champions League, i ndjekur nga Reali i Madridit në atë që të gjithë presin të jetë finalja e madhe.

Me kusht që skuadrat e Guardiolës dhe Ancçelotit të mos përballen më parë siç ndodhi në simulimin e shortit të kryer nga “Calciomercato.it”.

Krahas supersfidës mes Mançester Sitit dhe Realit të Madridit, nga simulimi ka dalë edhe derbi gjerman mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit.

Çiftet e tjera do të ishin mes Arsenalit dhe Barcelonës nga njëra anë dhe mes Atletikos së Madridit dhe PSG-së nga ana tjetër. Mbetet vetëm të presim nesër në mesditë për vendimin e shortit./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button