Pse diabeti quhet edhe si “sëmundje zotërinjsh”, tregon endokrinologu Erduan Sefedini
Internisti – endokrinologu, Erduan Sefedini në një podcast në Telegrafi.com ka folur për komplikimet që sjell diabeti në organizëm si dhe kujdesi që duhet të kenë pacientët në shujtat ditore.
Sefedini theksoi se diabeti sjell shumë komplikime në organizëm, siç u shpreh ai komplikime të llojit “akute dhe kronike”.
“Komplikimet kronike tek njerëzit e rritur janë shumë të shpeshtë, dhe ndonjëherë kur diagnostikohen, për shkak të vonesave në diagnostikim dhe të sëmundjeve tjera, shpesh herë pacientëve të moshuar iu kërkojmë që të bëjnë një test të syve, apo ekzaminim të syrit se sa ka avancuar sëmundja. Nuk kemi mënyrë tjetër për ta vlerësuar se sa gjatë është sëmundja. Sëmundja e sheqerit i atakon enët e vogla të gjakut dhe sytë janë në rend të parë”, theksoi ai.
“Është shumë me rëndësi që pacienti që në fillim të edukohet në drejtimin që i kërkohet. Ka sfida të shumta. Pacientit shpesh herë i kërkohet që dëshirat e veta t’i lej anash, për hirë të shëndetit dhe që të evitoj komplikimet e mundshme të cilat kur fillojnë me të vërtetë kthim mbrapa nuk ka, normal mjekësia mund të ndikojë që të ngadalësohet, por të mirat fitohen në fillim”, ka thënë Sefedini për Telegrafin.
I pyetur se si shpjegohen gojëdhënat që diabeti është “sëmundje zotërinjsh”, ai tha: “Kjo është thënë për mënyrën se si jetohet. Te njerëzit që nuk kanë aktivitet, si biznesmenët që jetojnë me pak aktivitet. Shpesh herë them me dy telefona janë vazhdimisht në stres dhe kjo e sjellë një gjendje që e kanë ushqimin më të mirë, që rrjedhimisht në fund del që ushqimi me bollëk nuk është më i miri. Prandaj ka mbet si sëmundje e zotërinjve”, tha ai.
Sefedini gjithashtu tregoi se frutat si rrushi dhe bananet janë të kufizuara për pacientët me diabet.
“Rrushi dhe bananja janë shumë të kufizuara, për të tjerat 200 gramë apo 300 gramë në ditë…frutat nuk i kanë shumë problem pacientët, por brumin. Shpesh pacientët ma përmendin ‘doktor a e din se si i kanë thënë sëmundjes më herët, tërrpia’, e kjo d.m.th që gjithmonë janë të uritur, dhe shpesh më thonë ‘doktor kurrë s’po ngihna’ “, tregoi internisti. /Telegrafi/