Miliarderi australian dëshiron të ndërtojë anijen e re të Titanikut: Është më argëtuese sesa…
Më shumë se një dekadë më parë, Clive Palmer zbuloi planet për ndërtimin e Titanikut, gjegjësisht një kopje të anijes që u përmbyt në vitin 1912.
Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe në vitin 2018, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Së fundmi, miliarderi australian ka mbajtur një konferencë në Sydney dhe ka “ringjallur” sërish projektin e pazakontë.
Miliarderi është i sigurt se vizioni i tij do të realizohet, me premtimin se kompania që ai themeloi me qëllim – “Blue Star Line”, do të ndërtojë një anije të stilit superior.
Për momentin nuk dihet se cili kantier mund të realizojë projektin dhe i pyetur nga një gazetar se pse dëshironte të ndërtonte Titanikun II, Palmer u përgjigj, “është shumë më argëtuese sesa të ulesh në shtëpi dhe të numërosh paratë”.
Palmer shpjegoi se pandemia është fajtore për vonesën dhe ai shpreson se Titaniku i ri do të lundrojë në vitin 2027, raporton cnn.
Ai do të niset nga Southampton për në New York, duke përsëritur udhëtimin fatkeq të vitit 1912.
Mediat e huaja raportojnë se ndërtimi i anijes mund të kushtojë nga 500 milionë deri në 1 miliard dollarë. Titaniku i ri do të jetë 269 metra i gjatë dhe 32.2 metra i gjerë.
Hapësira për 2,345 pasagjerë do të shtrihet në nëntë kuverta me 835 kabina. Pothuajse gjysma do të rezervohet për klasin e parë.
Brendësia do të ishte e njëjtë me anijen origjinale, e kompletuar me sallë vallëzimi, pishinë dhe banjë turke. Një animacion 3D i gjigantit të ardhshëm u shfaq gjithashtu për publikun./OraNews