Kulturë

Ndriçim Xhepa: Sot shohin Big Brother, jo filma. Ata që duan ndalimin e filmave “komunistë”, janë ekstremistë

Aktori i madh Ndriçim Xhepa, flet për atë që ka ndodhur me artin e kinematografisë, prodhimin në zbehje.

“Pas vitit 1990 është prodhuar pak, ka pasur vite që ska pasur asnjë prodhim, vite të tjera që mezi është bërë një dhe mandej pas viteve 2000 diçka filloi, dy filma dhe ka mbërritur tani që mund të jenë tre apo katër, sepse ka të bëjë gjithçka me financat”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa.

Dikur një pikë referimi prej nga u ‘ngrit’ kinematografia shqiptare, e ku ndoshta artistët ëndërronin bulevardin e tyre të yje, si “Walk of fame” në Hollywood, me keqardhje ai shikon transformimin e ish-Kinostudios sot.

Kinostudio pësoi të gjithë atë transformim të jashtëzakonshëm I gjithë territori i saj nuk u pushtua më nga puna për filmin, por nga televizionet private”, thotë ai.

Në ish-Kinostudion e dikurshme, gjendet edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, aktualisht në kërkim të një kryetari.

“Ne jemi një shtet i tillë që për kinematografinë japim 1 milion euro në vit. Ndërsa Maqedonia jep 6.5 milionë euro. Jemi para zgjedhjes së një drejtori të ri për filmin, aty ka një bord, supozojmë se vjen dikush me një skenar, regjisor, etj. dhe fiton financimin nga QKK, pas kësaj filmi kalon në pronësi të institucionit”, shton më tej Xhepa.

Sic ndodh edhe jashtë Shqipërisë, Xhepa përpjekjet për të bërë filma i shikon edhe tek iniciativat private. Sjell në vëmendje këtu edhe filmin “Në kuadër të dashurisë” me protagonistë Olta Gixharin e Luiz Ejllin, ku luan edhe vetë.

“Kam përshtypjen se njerëzit shkuan goxha ta ndiqnin, përfshirë këtu edhe rininë, duke pasur edhe atë nxitjen e personazheve kryesore që ishin dhe tek Big Brother i vitit të kaluar, protagonistë dhe aty për mënyrën se si ishin qasur ndaj njëri-tjetrit, me sherret, ëmbëlsinë, thartinë mes tyre”, shprehet Xhepa.

Interesin në rënie të spektatorit, ku ndryshe nga ç’dodhte dikur, radhët e kinemave janë të zbrzura i shikon të lidhura edhe me mungesën e një rrjeti shpërndarës.

“Kishte kinema nga Bajram Curri në Sarandë. Sot kush ka dëshirë mund t’i shikojë edhe në kanale televizive filmat, por mesa vërej nuk kanë ndonjë interes të madh. I thashë djalit një ditë, eja shikoje se qenka babi, jam munduar shumë për atë film. ‘Po ja ku e kam babën, e shikoj këtu’- më tha”, tregon aktori me humor.

Ai i mëshon ndërtimit të kinematografisë së të ardhmes, e jo shkatërrimit të filmave të para ’90-ës, ku vetëm nga ’45-a në vitin 1990 janë 4024 filma të arkivuar.

“Sa i përket filmave të asaj kohe, mund të themi se ka filma të mirë, të dobët dhe shumë të dobët. Ashtu siç ka një përqindje të mirë filmash ekstremisht të politizuara por me cilësi të mirë. Ideja për t’i fshirë është shumë drastike dhe e gabuar sipas meje. Sigurisht që mund të arkivohen, të përdoren më tej për studime, apo të shfaqen me shënime përkatëse. Ka shumë mënyra, por ideja për t’i fshirë më duket ekstreme”, shprehet Xhepa./aktoretshqiptare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button