Lajme

Të dhënat që tregojnë se Facebook-ut po i vjen fundi

Facebook mbushi 20 vjeç dhe platforma ka mbetur një magnet për polemika dhe para, ashtu si në kohën kur u krijua, shkruan The Economist. Më 31 janar, themeluesi i rrjetit social, Mark Zuckerberg, u mor në pyetje nga senatorët amerikanë për përhapjen e materialeve të dëmshme në rrjet.

Të nesërmen, ai bëri publike rezultatet financiare të kompanisë Meta, e cila tani ka kapur vlerën 1.2 trilionë dollarë. Megjithatë, edhe pse mediat sociale po tërheqin shumë vëmendje nga përdoruesit dhe kritikët, ato po pësojnë një transformim të thellë, por disi të fshehtë, shkruan The Ecpnomist.

Magjia e rrjeteve sociale qëndronte në ndërthurjen e ndërveprimeve personale, me komunikimin në masë. Tani, kjo amalgamë po ndahet sërish në dysh. Përditësimet e statusit nga miqtë, u kanë lënë vendin videove nga të panjohur, që i ngjajnë një televizioni hiperaktiv.

Postimi publik po zhvendoset gjithnjë e më shumë në grupe të mbyllura, të ngjashme me komunikimet me email. Ajo që Zuckerberg e quan “sheshi i qytetit” dixhital, po rindërtohet dhe njëkohësisht po krijon probleme.

Kjo ka rëndësi, sepse mediat sociale janë mënyra se si njerëzit e përjetojnë internetin. Vetëm Facebook ka më shumë se 3 miliardë përdorues. Aplikacionet sociale janë përgjegjëse për gati gjysmën e kohës së kaluar para ekranit të celularit, një kohë e cila zë më shumë se një të katërtën e orëve të ditës që njeriu kalon zgjuar

Përdoruesit tani kalojnë 40% më shumë kohë në aplikacionet sociale, se sa në vitin 2020. Përveçse janë argëtuese, mediat sociale janë qendra e debatit në internet dhe shërbejnë si një katapultë për fushatat politike. Në një vit kur gjysma e popullsisë së botës do të drejtohet te qendrat e votimit, politikanët e shumë shteteve, nga Donald Trump i SHBA-së, deri te Narendra Modi i Indisë, do të jenë shumë të pranishëm në internet.

Tipari kryesor ndryshe i mediave sociale, është se tashmë, ato nuk janë më edhe aq sociale. Aplikacionet e njohura si Facebook, duke u frymëzuar nga TikTok, po shpalosin për përdoruesit klipe të përzgjedhura nga Inteligjenca Artificiale, duke u mbështetur në pëlqimet personale të përdoruesve, jo në lidhjet e tyre shoqërore, pra pëlqimet e miqve.

Nga ana tjetër, njerëzit po postojnë gjithnjë e më pak për veten. Përqindja e amerikanëve që thonë se u pëlqen të dokumentojnë jetën e tyre në internet, ka rënë nga 40%, në 28%, që nga viti 2020. Debati po kalon në platforma të mbyllura, si ËhatsApp dhe Telegram.

E pra, duket se në “sheshin e qytetit dixhital”, janë fikur dritat. Mediat sociale janë bërë më të mbyllura. Aplikacioni i videove TikTok, në pronësi kineze, ka filluar të imitohet nga platformat e tjera që duan të ndjekin rrugën e saj të suksesit. Tëitter, i riemërtuar “X”, ka publikuar disa nga kodet e tij, por ka shtrënguar qasjen në të dhënat që shpjegojnë metodën që përdoret për të zgjedhur se cilat postime shihen nga përdoruesit. Grupet e mesazheve private shpesh janë të koduara plotësisht.

Disa nga pasojat e këtyre prirjeve, janë të mirëpritura. Aktivistët politikë thonë se duhet të zbusin tonin e mesazheve të tyre për të tërhequr përdoruesit që bëjnë biseda në grupe private të mediave sociale. Një postim provokues që tërheq “pëlqime” në platformën X, mund të duket pa shije për grupin e prindërve të fëmijëve të shkollave, të formuar në ËhatsUp.

Postimet në aplikacionet e mesazheve renditen në mënyrë kronologjike, jo nga një algoritëm që maksimizon angazhimin e përdoruesve, dhe kjo gjë ul nxitjen për sensacione. Në veçanti, grupet e mbyllura mund të jenë më të mira për shëndetin mendor të adoleshentëve, të cilët kishin probleme me vetëbesimin kur jeta e tyre private bëhej publike në mediat sociale.

Në platformat ku algoritmet e mbështesin përmbajtjen online në pëlqimet personale të përdoruesve, këta të fundit vënë re shumë postime nga njerëz që nuk janë pjesë e rrethit të tyre. Dhe një burim që merr përmbajtje pothuajse nga kudo, ka potencialin për të përhapur idetë më të mira sa më larg.

Megjithatë, kjo botë e re e mediave sociale, ka edhe problemet e veta. Aplikacionet e mesazheve janë kryesisht të pamoderuara. Për grupet e vogla, kjo është një gjë e mirë: në fund të fundit, platformat nuk duhet të kontrollojnë mesazhet e drejtpërdrejta midis përdoruesve të tyre, ashtu siç kompanitë telefonike nuk kanë të drejtë të vëzhgojnë telefonatat e klientëve.

Në regjimet diktatoriale, bisedat e koduara mund të shpëtojnë jetë njerëzish. Por grupet e Telegram prej 200,000 vetash, u ngjajnë më tepër transmetimeve të pakontrolluara, sesa bisedave private. Politikanët në Indi kanë përdorur ËhatsApp për të përhapur gënjeshtra që me siguri nuk do të ishin pranuar nga një rrjet i hapur si Facebook.

Ndërkohë që më shumë njerëz po zgjedhin grupe të mbyllura për komunikim, rrjetet e hapura janë bërë më pak të dobishme, për shkak të rënies së postimeve publike. Gjatë pandemisë Covid-19, shkencëtarët dhe mjekët nisën debate në internet, që përfshinin njëkohësisht të dhëna të sakta dhe keqinformata.

Inteligjenca me burim të hapur vërshoi nga të gjitha anët, kur Rusia pushtoi Ukrainën. Sot ato biseda po zhduken ose po kalojnë në kanale të mbyllura, duke ngadalësuar përhapjen e ideve. Ndërkohë, njerëzit që deklarojnë ende mendimet e tyre në rrjetet e hapura publike, janë në pjesën më të madhe meshkuj, të cilët priren ta përshkruajnë veten si shumë të majtë ose shumë të djathtë.

Për më tepër, algoritmet e rrjeteve të hapura që orientohen nga sjellja e përdoruesve, duket se kanë prirjen të shpërndajnë gjerësisht videot më pikante. Më parë, që diçka të bëhej virale në një rrjet social, njerëzit duhej të zgjidhnin ta ndanin atë me të tjerët.

Ndërsa tani, ata e bëjnë pa dashje më popullor një postim të caktuar, thjesht duke e parë atë, pasi algoritmi shpërblen përmbajtjen online që tërheq më shumë shikime dhe klikime. Nga kjo metodë e re, pritet që të përfitojnë më shumë tipat provokatorë si Trump ose Nayib Bukele, politikani favorit në zgjedhjet e kësaj jave në El Salvador, ashtu si edhe përhapësit e keqinformatave.

Platformat thonë se janë bërë më të afta për të eliminuar falsifikimet. Taylor Sëift, viktima më e fundit e imazheve të rreme të krijuara me Inteligjencë Artificiale, mund të mos pajtohet me pretendimin e këtyre platformave se po përmirësohen në këtë drejtim.

Edhe më urgjente se rritja e lajmeve të rreme, është mungesa e lajmeve të vërteta. Dikur, Zuckerberg tha se donte që Facebook të ishte si një gazetë vetjake. Por duke qenë se rrjeti social është krijuar për argëtim, lajmet përbëjnë vetëm 3% të asaj që njerëzit shohin.

Në të gjitha mediat sociale, vetëm 19% e të rriturve ndajnë lajme çdo javë, nga 26% në vitin 2018. Faqet e lajmeve rozë si BuzzFeed Neës, të cilat mbështeteshin në shpërndarjen e postimeve, janë zhdukur. Por është e qartë se ka një problem kur gati gjysma e të rinjve, thonë se mediat sociale janë bërë burimi kryesor i lajmeve të tyre, në një kohë kur këto platforma kanë vendosur se lajmet nuk janë më interesante.

Disa njerëz argumentojnë se defektet e rrjeteve sociale mund të rregullohen nga qeverisja më e mirë, kodimi i zgjuar ose një model tjetër biznesi. Gjëra të tilla pa dyshim që mund të ndihmojnë. Por problemet që ka ngritur brezi i ri i aplikacioneve, tregojnë se të metat e mediave sociale, janë gjithashtu rezultat i kompromiseve në komunikimin njerëzor.

Kur platformat kthehen drejt grupeve private, ato në mënyrë të pashmangshme kanë më pak mbikëqyrje. Kur njerëzit largohen nga grupet e tyre sociale, ata mund të ballafaqohen me përmbajtje më të skajshme online.

Kur përdoruesit përqafojnë argëtimin e padëmshëm, ata shohin më pak lajme. Ndërsa rrjetet sociale po vyshken, operatorët dhe përdoruesit e platformës, duhet t’u kushtojnë më pak kohë betejave të vjetra dhe më shumë kohë përballjes me betejat e reja./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button